Aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë, dyshohet se posedonte mbi 4.8 kilogramë marihuanë

Prishtinë | 29 Sht 2026 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet A.B., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se më 3 prill 2026, rreth orës 12:30, në rrugën “Megzon Boshnjaku” në Gjakovë, ka poseduar dhe transportuar substanca narkotike me qëllim të shitjes ose shpërndarjes së tyre pa autorizim.

Prokuroria ka bërë të ditur se rasti është zbuluar pas informacioneve të siguruara nga Policia e Kosovës, e cila kishte vëzhguar të pandehurin para se ta ndalonte atë në parkingun e një restoranti.

“Policia e Kosovës, pasi kishte siguruar informacione, ka vëzhguar të pandehurin, i cili me automjetin e tij të markës ‘Ford Focus’ ndalet në parkingun e restorantit ‘O…’. Pas kontaktimit dhe identifikimit të të pandehurit nga hetuesit policorë, është kryer kontrolli në automjetin e tij, ku në ulësen e pasme janë gjetur dhjetë (10) qese të mbushura me substancë narkotike të dyshuar për llojin marihuanë, substanca e dyshuar narkotike është sekuestruar nga hetuesit policorë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, sasia e substancës së sekuestruar është konfirmuar edhe nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

“Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), është konstatuar se substanca narkotike e sekuestruar, e llojit marihuanë, ka peshë të përgjithshme prej 4 kilogramësh e 855.9 gramësh”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria ka bërë të ditur se, me këto veprime, A.B. dyshohet se ka kryer veprën penale të përcaktuar me nenin 267, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Me këto veprime i pandehuri A.B. ka kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ nga neni 267 par.2 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Në aktakuzë, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohet.

“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme