Aktakuzë ndaj tre anëtarëve të Komisionit për pranimin e punëtorëve në minierën “Trepça”

Prishtinë | 16 Tet 2024 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton se të mërkurën ka ngritur aktakuzë ndaj tre anëtarëve të Komisionit për pranimin e punëtorëve të minierën e “Trepça” SH.A. për kryerjen e veprës penale “Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuzë është ngritur ndaj të pandehurve me inicialet A.H., E.M., dhe B.A., raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të pandehurit, në janar të vitit 2020, si anëtar të komisionit për  pranimin e punëtorëve të minierën e Trepça SH.A., në bashkëkryerje dhe me dashje kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke mos përfillur procedurat e rekrutimit të përcaktuara sipas udhëzimit administrativ të MPMS lidhur me rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Të njëjtit, kanë shkelur rregulloren e vlerësimit gjatë intervistimit me gojë të kandidatëve, ashtu që në vend të vlerësimit për çdo pyetje të saktë me njëzet (20) pikë siç rregullohet në udhëzim administrativ, në rastin konkret të pandehurit i kanë vlerësuar kandidatët me nga njëzetepesë (25) pikë për pyetje në total me mbi njëqind (100) deri treqind (300) pikë, duke i sistemuar në vende pune dhe themeluar marrëdhënie të punës me shtatë (7) persona, dhe me këtë veprim kandidatëve tjerë u ka mohuar të drejtën për punësim dhe kushte të njëjta ashtu siç parashihet me ligj, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Me këto veprime, të pandehurit A.H., E.M., dhe B.A., thuhet se kanë kryer veprën penale e cila u vihen në barrë.

Të ngjashme