Aktakuzë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet M.P., dhe R.D., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367 paragrafi1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri M.P., me  datë 30.03.2020 rreth orës 16:00 në fshatin Pouskë – Komuna e Prizrenit,  posedon armë zjarri pushkë gjysmë – automatike dhe nëntëmbëdhjetë (19) fishekë të kalibrit të panjohur, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.

Po ashtu, i pandehuri M.P, me datë, kohë dhe vend të njëjtë  përdorë  armë zjarri pushkën gjysmë – automatike në një shenjëtore të improvizuar në fshatin Pouskë, i  shoqëruar me të pandehurin R.D., në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.

Me këto veprime, i pandehuri M.P., ka përmbushur elementet e veprave penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”dhe  “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” sipas KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri R.D., me datë, kohë dhe vend të njëjtë përdorë armë zjarri pushkën gjysmë – automatike në një shenjëtore të improvizuar në fshatin Pouskë, shoqëruar me të pandehurin M.P., në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.

Me këto veprime, i pandehuri R.D., ka përmbushur elementet e veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme