Aktakuzë për rrezikim të trafikut publik

Prishtinë | 31 Kor 2019 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit G.B., për shkak të veprës penale ‘’Rrezikim i trafikut publik’’.

“Sipas aktakuzës, më 01 korrik 2019, rreth orës 12h, në fshatin Ramnishtë, komuna e Vitisë, i pandehuri G.B., ka rrezikuar trafikun publik, duke e vënë në rrezik jetën e njerëzve, ashtu që gjatë drejtimit të automjetit të markës  VW Golf, pa patentë shofer, ka shkaktuar aksident në komunikacion, si pasojë e të cilit një person ka ndërruar jetë.

Në bazë të ekspertizës së komunikacionit, i pandehuri ka lëvizur me shpejtësi prej 112 k/h, edhe përkundër faktit që shpejtësia e lejuar ishte 50 km/h, me ç’rast për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes në vendbanim, me anën e djathtë të pjesës së parë të automjetit, e ka goditur këmbësorin, tani të ndjerin S.D., i cili ishte duke trupuar rrugën, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, i cili me urgjencë transferohet në QKUK, në Prishtinë, ku pas 7 ditëve, përkatësisht më 8 korrik 2019, ka ndërruar jetë”, ka njoftuar Prokuroria.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Rrezikim i trafikut publik’’ nga neni 370 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme