Aktorja e famshme që do të luajë rolin e ikonës së kinemasë Audrey Hepburn

Prishtinë | 24 Shk 2026 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Ylli i serialit të Netflixit “Emily in Paris”, Lily Collins, do të interpretojë ikonën e kinemasë Audrey Hepburn në një film të ri që do të rrëfejë historinë e realizimit të komedisë romantike të vitit 1961, “Breakfast at Tiffany’s”.

Filmi, që ende nuk ka titull zyrtar, do të bazohet në librin jofiksional të Sam Wasson, “Fifth Avenue, 5 AM: Audrey Hepburn, Breakfast at Tiffany’s and the Dawn of the Modern Woman”, ka shkruar The Guardian.

Audrey Hepburn në filmin “Breakfast at Tiffany’s”

Skenari është shkruar nga Alena Smith, krijuese e serialit të Apple TV+, Dickinson.

Ende nuk është bërë i ditur emri i regjisorit.

Collins, vajza e muzikantit Phil Collins, ndau entuziazmin e saj në Instagram, duke thënë se pas gati 10 vjetësh zhvillimi dhe një jete të tërë admirimi për Hepburn, ndihet “e nderuar dhe jashtëzakonisht e lumtur” që më në fund mund ta ndajë këtë lajm.

Lily Collins

Filmi i vitit 1961 ishte një adaptim i lirë i novelës së vitit 1958 nga Truman Capote. Historia ndjek personazhin Holly Golightly, një grua glamuroze që jeton në New York dhe shoqërohet me burra të pasur për të siguruar jetesën. Në versionin filmik, rrëfimtari anonim i novelës u shndërrua në një burrë që bie në dashuri me Golightlyn.

Capote kishte dashur që rolin ta luante ylli Marilyn Monroe dhe i bëri presion studios Paramount Pictures për ta përzgjedhur atë. Por Monroe ishte nën kontratë me Twentieth Century Fox dhe, sipas raportimeve, u këshillua ta refuzonte rolin pasi mund të dëmtonte imazhin e saj. Edhe Shirley MacLaine dhe Kim Novak e refuzuan rolin, përpara se Hepburn të përzgjidhej, vendim që Capote e kritikoi ashpër.

Para daljes së filmit, departamenti i maretingut i studios Paramount u përpoq ta paraqiste personazhin e Golightlyt sa më larg idesë së një punëtoreje seksi, duke theksuar imazhin e pastër dhe elegant të Hepburn.

“Breakfast at Tiffany’s” pati sukses të madh kritik dhe financiar, duke fituar rreth 14 milionë dollarë në arkat globale (rreth 152 milionë dollarë me vlerën e sotme). Filmi fitoi dy çmime “Oscar” për kolonën zanore nga Henry Mancini dhe për këngën “Moon River”, të interpretuar nga vetë Hepburn.

Filmi i ri me Lily Collins pritet të jetë rrëfimi i parë i plotë për realizimin e këtij projekti legjendar, duke përfshirë sfidat e produksionit dhe incidentet në xhirime, si rasti kur një anëtar i ekipit thuajse u godit nga rryma gjatë skenës ikonike hapëse përpara dyqanit kryesor të brendit “Tiffany & Co” në Fifth Avenue.

Ende nuk janë bërë publike emrat e aktorëve që do të luajnë Truman Capoten apo regjisorin e filmit të vitit 1961, Blake Edwards.

Më herët, Hepburn është portretizuar nga aktorja Jennifer Love Hewitt në filmin televiziv të vitit 2000 “The Audrey Hepburn Story”. 

Ndërsa aktorja Rooney Mara ishte përfolur për një biografi të re të drejtuar nga Luca Guadagnino, por projekti u anulua në vitin 2023.

Të ngjashme