Brenda dy muajve, Gjykata Speciale për Kosovën pritet të harmonizojë Rregulloren e Procedurës dhe Provave. Kjo i hap rrugë nisjes së aktakuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara ka sqaruar për KTV-në se pas emërimit të gjykatësve, ata do të mblidhen për të miratuar këtë rregullore, e cila është dokument që rregullon funksionimin e këtyre dhomave.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara po përgatit seancën plenare që do të mbahet në mars, gjatë së cilës gjykatësit do të miratojnë Rregulloren e Procedurës dhe Provave.
Pas miratimit, Rregullorja do t’i dërgohet Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese e cila ka 30 ditë për të shqyrtuar nëse kjo rregullore është në pajtim me kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës.
Të gjitha këto procedura do të kryhen në Hagë, përfshirë shqyrtimin rreth përputhshmërisë së Kushtetutës, sepse kjo do të bëhet nga Dhoma e Gjykatës Kushtetuese që ekziston brenda Speciales.
Kjo dhomë e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ishte mundësuar nga Ligji që u miratua nga Kuvendi i Kosovës. Benes ka shtuar se procedurat gjyqësore mund fillojnë vetëm pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe Provave.
Megjithëkëtë, Prokuroria nuk ka sqaruar se kur do të nisë të publikojë aktakuzat e para.Së fundmi, udhëheqës të organizatave të dala nga lufta kanë kërkuar që Kuvendi ta kthejë për ndryshim Ligjin për Dhomat e Specializuara.Kjo megjithatë është bërë pas më shumë se 1 viti, prej kur ligji u miratua në gusht të 2015-ës.