Vlastimir Voleviq, i akuzuar për veprat penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale doli sot para gjykatës.
Pas leximit të aktakuzës i akuzuari u deklarua fajtor për një vepër penale ndërsa për dy veprat tjera tha se nuk e pranon fajësinë.
“E pranoj fajësinë sa I përket veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve ndërsa për dy veprat tjera nga neni 281 dhe 345 deklarohem i pafajshëm sepse për të njëjtat nuk jam marrë në pyetje nga prokuroria “ tha i akuzuari Voleviq.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Asdren Hoxha kërkoi nga gjykata ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe zëvendësimin e saj me masën e arrestit shtëpiak.
“ E shfrytëzoj të drejtën ligjore nga ju që të kërkoj zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak pasi që do të jetë e mjaftueshme për vazhdimin me sukses të procedurës së shqyrtimit të dytë dhe kryesor në vijim e sipër dhe se nuk ekziston rreziku i ikjes ngase i dihet identiteti dhe adresa ku mund të qëndroj në arrest shtëpiak, si dhe nuk ka bazë të besohet se mund të ndikojë në zhvillim normal te procedurës sepse tash kemi një aktakuzë të ngritur dhe të gjitha provat janë marrë”, tha Hoxha.
Ndërsa kërkesën e tillë e kundërshtoi Prokurorja Besa Limani.
“ E kundërshtoj propozimin e mbrojtësit për zëvendësimin e masës së paraburgimit dhe atë nga arsyet dhe bazat ligjore të cilat janë të cekura në kërkesën për caktimin dhe vazhdimin e paraburgimit “ , tha prokurorja.
Vlastimir Volevic akuzohet nga Prokuroria Themelore se pa autorizim ka blerë, mbajtur dhe shpërndarë substanca narkotike, ashtu që me datë 24 shkurt gjatë bastisjes në shtëpinë e tij i janë gjetur dhe sekuestruar rreth 13 kilogram substanca narkotike të llojit Kanabis, si dhe ka fshehur pasurinë, paratë për të cilat e ka ditur se janë fituar me veprën penale te vjedhjes, grabitjes.