Albin Kurti uron të dalin ballëlartë dhe krenarë gjithë të akuzuarit e Speciales

Prishtinë | 28 Nën 2020 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar festën e 28 Nëntorit, duke uruar që të dalin ballëlartë dhe krenarë gjithë të akuzuarit e Speciales.

Kurti përmes një postimi në Facebook i ka uruar që kjo festë le të jetë urim i gëzueshëm e një shpresë, që me punë e drejtësi të mund ta arrihet një të ardhme më të mirë, si komb e shoqëri, si individë e komunitete.

“Sot dua të uroj ditën e Flamurit edhe për bashkëveprimtarin tonë, Rexhep Selimin, i cili bashkë me Heroin Mujë Krasniqi e Daut Haradinajn, në 28 Nëntor 1997, paraqiti për herë të parë publikisht UÇK-në. Uroj që ai dhe luftëtarët e tjerë të akuzuar të dalin ballëlartë e krenarë nga këto gjyqet më të reja e fort speciale”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Kruja, Vlora, Drenica. 28 Nëntori i Skënderbeut, i Ismail Qemalit, i Adem Jasharit dhe i shpalljes së UÇK-së.

Nëse kthejmë sytë pas, çdo datë, çdo legjendë, çdo histori, çdo përkujtimore, çdo lapidar, çdo varr i paraardhësve tanë, çdo amanet e shpresë për bashkësinë, që ende nuk e ka gjetur përmbushjen, ngërthehet te 28 Nëntori. Çdo datë tjetër shënon një kohë në kalendar, 28 Nëntori na e shënon hapësirën. Atë të humburën, dhe atë të ruajturën që assesi nuk bën ta humbim.

Sot është kryedita e shqiptarëve, por nuk do të festohet siç kemi bërë çdo vit. Pandemia, me goditjen e saj në jetët e të dashurve tanë e në shëndetin e njerëzve, me tronditjen që ia ka dhënë ekonomisë edhe ashtu të varfër të shumicës së familjeve shqiptare, mbase shumëkujt nuk ia krijon mundësitë për festë.

Por le të jetë megjithatë një urim i gëzueshëm e një shpresë, që me punë e drejtësi të mund ta arrijmë një të ardhme më të mirë, si komb e shoqëri, si individë e komunitete, përfshi edhe minoritetet që jetojnë mes nesh, të cilët gjithnjë duhet t´i trajtojmë si të barabartë, miqësisht e pa hasmëri.

Sot dua të uroj ditën e Flamurit edhe për bashkëveprimtarin tonë, Rexhep Selimin, i cili bashkë me Heroin Mujë Krasniqi e Daut Haradinajn, në 28 Nëntor 1997, paraqiti për herë të parë publikisht UÇK-në. Uroj që ai dhe luftëtarët e tjerë të akuzuar të dalin ballëlartë e krenarë nga këto gjyqet më të reja e fort speciale.

Kruja, Vlora, Drenica. Por edhe Saranda e Podujeva, Mitrovica e Bajram Curri, Shkodra e Shkupi, Manastiri e Ulqini, Gjakova e Dibra, Presheva e Korça, Lezha e Ohri, gjithë bregdeti, malësitë, fushat e rrafshet, diaspora, Prishtina e Tirana. Çdo vend ku flitet shqip, çdo fshat e lagje që sot krenohet me flamurin e vet, janë Atdheu ynë, që nuk i përket vetëm historisë, por mbi të gjitha i përket të ardhmes e atyre vajzave e djemve që ende nuk kanë lindur. Për ta duhet ta ndërtojmë një të tashme të drejtë, shtet që mbron e bashkon, qeverisje që lufton korrupsionin, shoqëri që përfshin pa dallim gjinie, pamjeje e prejardhjeje, ekonomi të qëndrueshme për përfitimin e rritjen e të gjithëve. Këto, bashkë me amanetet që na i kanë lënë dëshmorët, janë detyrat tona dhe interesi ynë.�
Gëzuar 28 Nëntorin 2020!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme