Debati për Demarkacionin nuk duket se është afër përfundimit. Kësaj radhe është deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila ka hyrë në një debat duke kundërshtuar publicistin, Adriatik Kelmendi, i cili publikisht ka bërë thirrje që kjo marrëveshje të votohet, përcjell Gazeta Metro.
“Ka disa ditë që Adriatik Kelmendi ka nisur një fushatë dhe presion mbi deputetët e Kuvendit që të votojnë demarkacionin që i falë mbi 8200 ha, Malit të Zi. Kulmi i gjithë kësaj është kur në mënyrë të ulët mundohet të na krahasojë me Listën serbe dhe Rusinë. Fushata përbaltëse kundër nesh është e papranueshme”, ka shkruar Haxhiu, duke i bërë thirrje tutje Kelmendit që të jetë neutral për shkak të profesionit që ka.
Ajo tha që Kelmendi ishte pjesë e protestës që u mbajt sot pro votimit të Demarkacionit.
Ndaj kësaj ka reaguar Kelmendi, duke thënë që askush s’mund t’ja mbyllë gojën, as Haxhiu.
“…Natyrisht, me secili opinion dikush mund të pajtohet, ose të mos pajtohet.Të më sfidojë me kundërargumente, nëse i ka. Mirëpo, është krejt e pandershme, si dhe e papranueshme, që dikush të më çojë porosi publike në stili e që e paska përdorur sot një deputete”, shkroi Kelmendi, duke mos i përmendur emrin Haxhiut.