Aleksandër Lumezi padit Enver Hasanin për shpifje

Prishtinë | 19 Tet 2017 | 14:38 | Nga

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka vendosur ta paditë për shpifje, ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, Enver Hasanin.

Lumezi me anë të një letre dërguar mediave ka sqaruar arsyet e kësaj padie, duke thënë se Hasani tash e sa kohë po mundohet ta njollosë emrin e tij me të pavërteta dhe se deklarimet e fundit të tij kundër Lumezit janë bërë pikërisht në këtë frymë.

Lumezi thotë se Hasani, i nxitur nga dënimi që mori me një vit burgim, ka dalë me deklaratën e tij shumëpikëshe kundër tij, por që në fakt s’përmban asnjë të vërtetë.

“Lajmi për dënimin e ish Rektorit të Universitetit të Prishtinës duket se ka qenë ‘motivi’ i këtij të fundit që dje të dalë me një shkresë me shumë pika, por me një emërues të përbashkët. Shkresa në fjalë përmban vetëm shpifje, gënjeshtra dhe pretendime tendencioze imagjinare, të drejtuara personalisht kundër meje”.

“Nuk është e rastësishme që ‘reagimi’ në fjalë ka ardhur vetëm disa orë pasi që i njëjti ka kuptuar se është dënuar me dënim me burg me kusht”.

“Dëshiroj me këtë rast, të siguroj opinionin vendor dhe ndërkombëtar se kam kryer provimin e jurisprudencës në mënyrën më të rregullt të mundshme dhe për këtë posedoj gjithë dokumentacionin e nevojshëm”.

Prandaj, Lumezi thotë se “do ta autorizoj një avokat të ngrit padi për shpifje kundër Enver Hasanit dhe pres që padia e tillë të shqyrtohet nga gjykata sa më parë që është e mundur”.

Lumezi bashkë me reagimin ka dërguar edhe certifikatën e dhënies së provimit të jurisprudencës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme