Aliu: 2023-ta do të jetë vit i realizimit të projekteve nëpër komuna

Prishtinë | 05 Shk 2023 | 08:13 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, beson se 2023-ta do të jetë vit i realizimit të projekteve kapitale në Ferizaj, por edhe në komunat e tjera, pasi më në fund janë tejkaluar disa pengesa, si hyrja në fuqi e Ligjit për Punët Publike dhe funksionalizimi i OShP-së.

Ai për Ekonomia Online ka thënë se për një kohë të gjatë janë penalizuar si komuna, sa i përket investimeve kapitale, si shkak i mungesës së Bordit të Organit Shqyrtues i Prokurimit (OShP), mungesës së ligjit dhe shtrenjtimit të çmimeve.

“Projektet janë të shumta por kryesisht janë projekte që ne jemi duke vazhduar transformimin urban të qytetit të Ferizajt, të zonës qendër, e sigurisht se disa prej këtyre sfidave janë tejkaluar sepse ju i dini që kemi pasur telashe me kontratat respektivisht me kontratat e vjetra derisa nuk është futur në fuqi Ligji për Punët Publike. Pengesë ka paraqitur, një kohë, edhe mosfunksionaliteti i Organit Shqyrtues i Prokurimit (OShP). Por tashmë janë të zgjidhura këto çështje dhe unë po besoj se viti 2023 do të jetë vit i realizimit të projekteve sipas planifikimeve dhe parashikimeve që ne i kemi bërë si komunë e Ferizajt”, ka thënë Aliu.

Aliu ka thënë se bashkëpunimi me nivelin qendror është i mirë. Ai ka përmendur tre faktorë që ndikuan në rënien e investimeve kapitale.  

“Kemi bashkëpunim dhe vizita e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, është në fakt që dëshmon se ne kemi bashkëpunim. Sigurisht se ka ende për t’u shtuar sasia e komunikimit dhe cilësia e komunikimit por edhe bashkërendimi i punëve dhe projekteve dhe unë po besoj që në të ardhmen vetëm sa do të intensifikohen këto takime dhe këto zhvillime që kanë të bëjnë me raportet mes të nivelit lokal edhe qendror”, ka thënë ai.

“Arsyet që ka pas rënie të investimeve kapitale ka qenë mungesa e OSHP-së, ngritja e çmimeve edhe mosfutja në fuqi e Ligjit për Punët Publike. Tashmë këto çështje janë të zgjidhura dhe viti 2023, unë po besoj që do të jetë vit i investimeve publike në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës apo në të gjitha agjencitë buxhetore që kanë të bëjnë më investimet kapitale”, u shpreh Aliu për EO.

Të ngjashme