Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se janë duke bërë përpjekje maksimale që për të lënduarit nga shpërthimi në gjendje më të rëndë, t’ua lehtësojnë procedurën për shërim në Republikën e Turqisë, përcjell Ekonomia Online.
“Po bëjmë përpjekje maksimale që për të lënduarit në gjendje më të rëndë, ta lehtësojmë procedurën për shërim në Republikën e Turqisë, sipas rekomandimeve të mjekëve, pas vendosjes së kontakteve nga Komuna e Ferizajt bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor Klinik-Universitar të Kosovës dhe kërkesës tonë pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë”, tha Aliu.
“Zemërthyer e të tronditur jemi sot, jo vetëm ne ferizajasit, nga vala e zjarrit e shpërthimi i fuqishëm që lëndoi dhjetëra qytetarë.
Ferizaj do ta kapërcej edhe këtë plagë që nisi vitin. Të gjithë jemi me lutjet tona për shërimin e të lënduarve dhe pranë familjeve të tyre”, shtoi ai.
“I jashtëzakonshëm ishte edhe reagimi i mjekëve e infermierëve ferizajas dhe stafit teknik nga komunat fqinje, Policisë së Kosovës, zjarrfikësve, solidarizimi i bizneseve me këtë fatkeqësi e qytetarëve të rastit që me reagimin e shpejtë, parandaluan zgjerimin e tragjedisë. Qoftë i shpejtë shërimi i të lënduarve!”, tha tutje ai.