Aliu: Funksionimi i mirëfilltë i AKK-së, kërkon përfshirje të gjitha komunave

Prishtinë | 08 Mar 2024 | 13:16 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia Kadastrale e Kosovës ka organizuar të premten konferencën për të informuar lidhur me përmbledhjen e aktiviteteve për vitin 2023 dhe projektet e planifikuara për vitin 2023-24, raporton Ekonomia Online.

Aty u kërkua që në procesin e funksionimit të mirëfilltë të Kadastrit të përfshihet niveli qendror me atë lokal.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, tha se gabimet e bëra në të kaluarën në këtë institucion do të korrigjohen, ndërsa shtoi se “planifikojmë rritjen e kapaciteteve kadastrale me module për të plotësuar kërkesat e qytetarëve”.

Ai tha në këtë proces të përbashkët, janë të vendosur për të siguruar një sistem kadastral i cili do të jetë model për praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Ndërtimi, rindërtimi i kadastrës është punë e shumë palëve, edhe nga qytetari i cili komunikon drejtpërdrejt në terren, gjithashtu kjo nuk arrihet pa përfshirjen e komunave. Ky është një proces i përbashkët bazuar në politikat ndërkombëtare. Përgjatë Qeverisjes sonë, kemi bërë reforma të shumta, me theks të vecantë, kemi funksionalizuar zyret e shërbimeve kadastrale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, shpronësimet e tokave përmes procedurave ligjore duke mundësuar realizimin e rrugëve me interes nacional për vendin, shlyerjen e borxheve të shpronësimeve, reduktimin e procedurave burokatike përmes digjitalizimit të shërbimeve kadastrale, krijimin e bazës për gjeo informacion, si dhe gjurmimin elektronik të lëndëve në kadastër, kështu duke rritur transparencën e llogaridhënien publike”, tha Aliu.

“Tashmë, jemi duke u angazhuar maksimalisht për realizimin e projektit të Rindërtimit të Informacioneve Kadastrale deri në 140 Zona Kadastrale, dhe përfitues të drejtpërdrejtë nga ky projekt do të jenë qytetarët e zonave kadastrale në të gjitha Komunat. Një mbështetje e madhe për Komunat është edhe finalizimi i sistemit të adresave, ku gjatë vitit të kaluar janë përditësuar të gjitha të dhënat e adresave dhe këtë vit pritet që të kompletohet edhe vendosja e tabelave me adresa të rrugëve dhe numra të hyrjeve në të gjitha Komunat ku ende nuk është përfunduar ky proces”, tha tutje Aliu.

“Gjithashtu, do të bëjmë edhe lidhjen e adresave me qytetarin, në mënyrë që adresa zyrtare të përdoret nga të gjithë. Njëkohësisht planifikojmë të rrisim kualitetin e të dhënave kadastrale në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë, si dhe të avancojmë këtë sistem me module të reja për të përmbushur të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe Institucioneve konform trendeve zhvillimore ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ushtruesi i detyrës së Zëvendës Drejtorit Ekzekutiv të AKK-së, Avni Ahmeti, tha se viti 2023 ka qenë një vit i fillimit të një etape të re për Kadastrin.

“Viti 2023 ka qenë një vit i fillimit të një etapë të re për Kadastrin dhe për Reformat që janë filluar, një reformë e shumë pritur si në aspektin ligjor, po ashtu edhe në aspektin teknik dhe profesional me aprovimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit të  ri për Kadastër është hapur rruga për të zgjidhur shumë probleme me të cilat janë përballur qytetarët për një periudhë shumë të gjatë. Besoj se bashkërisht me bashkëpunimin me secilin nga ju do të arrijmë që këto çështje me i zgjidh edhe me i dhënë drejtim”, tha ai.

“Pas takimit të  parë që është organizuar për herë të parë në vitin 2023, me gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, AKK e ka planifikuar që edhe këtë vit  në fillim vit të mbajë takim me të gjithë kryetarët për të informuar në detaje edhe nga afër për të arriturat për planet dhe progresin që ka ndodhur në AKK”, shtoi Ahmeti.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje të USAID-it, Noel Bauer, tha se të drejtat pronësore kanë rëndësi për USAID-in.

“Ne po punojmë për shërbime kadastrale për qytetarët dhe të sigurojmë të dhëna kadastrale për të gjithë. 11 korniza rregullative që të zhvillohem për punë në nivel lokal. Kemi plane që të sigurojmë shërbime kadastrale të barabartë për qytetarët që po prodhojnë rezultatet të mira”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, u drejtua në emër të Asociacionit, duke thënë se e mirëpresin këtë takim që ka rëndësi të madhe për nivelin qendror dhe atë lokal.

“Zyra kadastrale do të funksionojë sipas nenit 13-të. Kadastri ka lidhje me ndërtimin dhe duhet koordinim mes dy niveleve për realizimin e projekteve të përbashkëta”, tha Muharremaj.

Kurse, Drenushë Januzi-Kukaj, Specialiste për Kadastër bëri një përmbledhje të aktiviteteve për vitin 2023 dhe projekteve të planifikuara nga AKK për vitin 2024-2025.

“Në vitin 2023 janë aprovuar 5 udhëzime administrative, për infrastrukturë kombëtare është hartuar strategjia e IKH-së, është draftuar rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës në AKK. Janë monitoruar 11 zyre kadastrale dhe janë monitoruar për herë të parë gjeodetët e licencuar”, tha ajo.

“Me kërkesë të ministrive, AKK ka përkrahë licencimin e laboratëve. Si rezultat i komiteteve me USAID është fuqizuar rregullorja që të mos dorëzohet dokumente. Nga stafi i AKK, janë trajnuar mbi 100 persona”, shtoi ajo.

Ndërsa, çka veçoi ishte vizita për herë të parë në AKK e një kryeministri, që kishte ndodhur vitin e kaluar, kurse tregoi edhe për investimet që pritet të bëhen këtë vit.

“Në vitin e kaluar AKK për herë të parë e ka vizituar një kryeministër vitin e kaluar janë realizuar dy takime ndërministrore. Është mbajt takim me gjeodetët e Kosovës për të hartuar ligjin. Në sisteme kadastrale janë bërë investime, gjurmimi i lëndës. Është trajtuar një avancim në të drejta pronësore, trajtimin sipas radhës. Është krijuar qasje për vendosje të shënimit në të drejta pronësore, që të sigurohen dhe pranohen. Janë validu e-kioska në komuna tjera për të marrë certifikata pronësie. Implementimi i kadastrit në komuna veriore, hap ky që me të është arrit kompletimi me certifikata. Avancimi i sistemeve kadastrale që verifikon të dhënat e dokumenteve të noterëve, gjeodetët do kenë mundësi qasje direkte në sistem”, tha tutje ajo.

Leonora Hajdari, eksperte për Kadastër bëri prezantimin e projekteve për rindërtim të zonave kadastrale.

“Si fillim bëhet faza përgatitore, përzgjedhja në bazë të kritereve për udhëzim administrativ që është në shiqim publik. Caktohet zona kadastrale për ndërtim, realizimi i projekteve në interes për institucionet dhe qytetarët. Plani i rindërtimit të kadastrit ndërtohet nga AKK në bashkëpunim me institucionet. Në kuadër të rindërtimit është mundësia që të futet vetëm një pjesë e zonës kadastale në ndërtim”, tha ajo.

“Në kuadër të udhëzimit janë parapa edhe disa komisione. Përgjegjësi e komisioneve, kompetenca dhe përgjegjësi shtesë, pas ndryshimeve ligjore. Projekti kalon në disa faza, fushata e matjeve, dorëzimi publik, azhurnimi i të dhënave etj. Në fillim të realizimit të projektit mbahet informim publik, njoftohen për obligimet e operatorit ekonomik, zbatimin e planit për zonën kadastrale, informim për procese gjyqesore. Bëhet shpërndarja e fletushkave, faza tjetër shiqimi publik, që ka të bëjë me kontrollim e të dhënave që dorëzohen në agjencinë për kontroll”, tha Hajdari.

Amir Sogojeva, Specialist i GIS-it tha se janë identifikuar 22 mijë rrugë, 99% e tyre janë emërtuar. Shfrytëzimi i adresave përmes portalit gjeoshtetëror, ndërlidhja përmes regjistrave shtetëror. Matja e rrugëve dhe digjitalizimi i të dhënave, janë matur 797 mijë metra rrugë në tërë Kosovën, që si informacion janë bartur në AKK dhe janë futur në sistem.

“Planifikohet vendosja e 1530 tabelave të emrave të rrugëve në katër komuna. Sfidë e projektit është caktimi i zyrtarëve përmanent, ka komuna që nga viti 2011 nuk ka përditësuar sistemin, ndërlidhja e regjistrit civil me regjistrin e adresave. Disa nga kërkesat dhe rekomandimet e komunave, bashkëpunimi me komunat është esencial, kërkohet nga komunat që në bashkëpunim me realizimin e këtij projekti”, tha ai.

Të ngjashme