Aliu në hapje të fushatës: Kush më mirë se sa partia e Hashim Thaçit, e Kadri Veselit e Jakup Krasniqit?

Prishtinë | 28 Maj 2026 | 20:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu në hapjen zyrtare të fushatës elektorale i është drejtuar qytetarëve se Partia Demokratike e Kosovës, i duhet vendit.

ALiu tha se nga kjo komunë po nis marshi i PDK-së drejt fitores së madhe në zgjedhet e 7 qershorit.

“Po nis sot në Ferizaj marshi ynë drejt fitores për Kosovën siç e meriton, për secilin qytetar siç e pret, ta bëjmë ndryshimin e madh, t’i japim frymë qenies sonë shtetërore e ritme të reja zhvillimit. Në Ferizaj, siç na flet faktueshëm historia, zunë fill pa fund nisma për kombin, për lirinë, për Republikën.Nga Ferizaj i shpirtit të papërkulur, dinjitetit që as nuk shitet e as nuk blihet, zëri qëndrestar e të pashuar të ndryshimit jehon anëekënd që të thërret për ndryshimin e madh për Kosovën, për ndryshimin për të cilin Kosova ka ngonë. Nuk ka se si të jetë ndryshe”, tha Aliu.

Ai tha se zgjedhjet e 7 qershorit nuk janë garë e numrave elektoralë por një betejë për drejtimin e Kosovës.

“Në 7 qershor nuk është thjesht një garë mes njëri-tjetrit e as besimi i shndërruar në numra elektoralë. Jemi përpara betejës për Kosovën, të bashkuar për frymën që e mban gjallë e i jep jetë themeleve të saj. T’i japim bashkë kahjen e duhur Kosovës, ta mbrojmë themelin e saj, gjakun e sakrificat për liri. Ta bëjmë Kosovën t’i hapë sytë e të shohë thellë drejt së ardhmes, e fortë, me zhvillim që preket e ndihet nga secili, e papenguar drejt horizonteve ku i përket, krah aleatëve që ia mbrojtën themelet e qenies së saj, për Kosovën që dinjitetin e saj, lirinë e saj, emrin e Republikës e çëndisi me gjak, pushkë e jo fjalë. Kush më mirë se partia e çlirimtarëve, partia e Hashim Thaçit, e Kadri Veselit e Jakup Krasniqit? Kush më mirë pra se partia e çlirimtarëve, partia e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit di dhe ka provat se mund ta bëjë Kosovën ashtu siç e meriton”, tha Aliu.

Të ngjashme