Ambasada e Kosovës në Gjermani ka bërë të ditur se Kancelarja Merkel dhe kryeministrat e rajoneve në mbledhjen e mbajtur dje, kanë vendosur t’i vazhdojnë masat anti-Covid që kanë qenë në fuqi deri më tani.
Në njoftimin e Ambasadës bëhet e ditur se këto masa do të shtyhen deri më 14 shkurt.
“Masat që ishin në fuqi deri në fund të janarit do të shtyhen deri me 14 shkurt. Shkollat e kopshtet e fëmijëve të mos hapen para 15 shkurtit. Punëdhënësit duhet t’u mundësojnë punonjësve punën nga shtëpia në të gjitha ato veprimtari, ku kjo është e mundshme”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, është bërë e ditur se mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë e detyrueshme dhe se nuk lejohet një mbulim i thjeshtë i gojës dhe hundës.
“Detyrimi për mbajtjen e maskës nëpër autobusë e metro si dhe nëpër dyqane do të ashpërsohet (maska medicinale apo FFP2 maska). Një mbulim i thjeshtë i gojës dhe hundës nuk lejohet më. Kontaktet duhet të vazhdojnë të jenë të reduktuara. Maksimalisht një person nga një amvisëri tjetër lejohet për takime. Edhe në shërbesat fetare këtej e tutje duhet të mbahen maskat mbrojtëse të mjekësisë”, bëhet e ditur në njoftimin e Ambasadës.