Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Rexhepi e njoftoi ambasadorin Hargreaves me rolin dhe kompetencat e Gjykatës Supreme si dhe me reformat aktuale në sistemin gjyqësor.
“Ai bëri me dije për ambasadorin britanik, qëllimin e kësaj reforme që përfshinë rritjen e llogaridhënies dhe vlerësimin e drejtë të performancës së gjyqtarëve duke u mbështetur në cilësi dhe jo në sasi të lëndëve të kryera. Duke rritur cilësinë, sipas kreut të Supremes, zvogëlohen rastet e kthyera në rigjykim dhe rrjedhimisht rritet besimi i publikut dhe kënaqshmëria e palëve me punën e sistemit gjyqësor”, thuhet në komunikatë.
Në anën tjetër ambasadori Hargreaves vlerësoi performancën e sistemit gjyqësor. “Ai e cilësoi sistemin gjyqësor si të avancuar dhe i cili, sipas tij, ka përparuar për një kohë të shkurtër. Ai shprehu kënaqësinë që Britania e Madhe ka dhënë kontribut në këtë rrugëtim të përbashkët”, vazhdon komunikata.
Po ashtu, kreu i Supremes shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Supreme në veçanti, përmes projekteve si ai me WBROL-i, realizimi i të cilave ka ndihmuar në arritjen e objektivave të gjyqësorit.