Ambasadori turk në Prishtinë: Mbështetja ndaj FSK-së nuk është kundër Serbisë

Prishtinë | 28 Dhj 2023 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Turqisë lidhur me tensionet Kosovë-Serbi, ka thënë se “ky problem nuk ka zgjidhje ushtarake, por mund të zgjidhet me dialog”.

Ambasadori i Turqisë, Sabri Tunç Angili, ka thënë se mbështetja për forcimin e kapacitete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), nuk është kundër asnjë shteti tjetër, përfshirë Serbinë.

Ai ka potencuar se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka zgjidhje ushtarake, por vetëm me anë të dialogut.

“Si Turqi, si shumë vende të tjera, ne besojmë se e vetmja rrugë për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dialogu. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem, por mund të zgjidhet me dialog”, ka thënë ai në një intervistë për “Anadolu Agency“.

Angili ka theksuar Turqia është e gatshme të kontribuojë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nëse palët e kërkojnë atë.

“Politika jonë është e qartë, ne po përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie të barabarta dhe të bazuara në përfitime reciproke me të gjithë në Ballkan. Kjo është e njëjta gjë për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit. Si e tillë, kjo forcon pozicionin e Turqisë si një aktor i besueshëm”, tha ai.

Më tej ai ka shtuar se Turqia po kryen diplomaci intensive në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së shpërndarjes së energjisë elektrike që është duke vazhduar që nga viti 1999 në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Çështja e shpërndarjes së energjisë ishte një nga faktorët që thelloi krizën e besimit mes dy palëve në veri, sepse, çështja e energjisë gjithmonë shqetëson drejtpërdrejt publikun. Është një hap shumë i rëndësishëm që kjo është tejkaluar dhe është krijuar një kornizë e caktuar ligjore sipas ligjeve të Kosovës. Është një hap që mund të ndikojë pozitivisht në dosjet e tjera në procesin e dialogut, dhe në këtë pikë arritën edhe Kosova edhe Serbia duke ndërmarrë hapa të ndryshëm dhe duke u detyruar të veprojnë në mënyrë konstruktive, por edhe Turqia mbështeti rolin lehtësues të Bashkimit Evropian (BE).

Mund të them se po bëjmë diplomaci intensive me Qeverinë e Kosovës sa i përket Kompanisë Kosovare të Distribuimit të Energjisë Elektrike (KEDS). Kjo na tregoi se, Kosova dhe Serbia mund të ndërmarrin hapa kur të dyja palët të shohin se po fitojnë dhe se po kujdesen për interesat e tyre”, ka theksuar ambasadori.

Angılı ka shtuar se ai po vazhdon punën e tij me një agjendë intensive në Kosovë, ku ka bërë afër një vjet punë.

“Nuk më duket sikur jam në një vend të huaj. Ndër vendet ku kam punuar deri më tani, Kosova për mua është vendi më i afërt me Turqisë në aspektin kulturor, për sa i përket këndvështrimit të njerëzve për jetën, madje edhe në aspektin e traditës së ushqimit dhe gjeografisë”, tha ai.

Angılı theksoi se ngjarjet që ndodhin në Ballkan ndihen thellë edhe në Turqi.

Të ngjashme