Sot katër mbledhje të komisioneve, në fokus AKI-ja dhe energjia

Prishtinë | 28 Tet 2026 | 08:03 | Nga Ekonomia Online

Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbahen katër mbledhje të komisioneve parlamentare, ku në agjendë janë raportimi i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), çështjet e barazisë gjinore, raporti financiar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe projektligjet për energjinë.

Në orën 10:00, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë do të mbajë mbledhje, ku do të raportojë drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Në të njëjtën kohë, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione do të zhvillojë takim me kryeshefen ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia.

Në orën 11:00, Komisioni për Buxhet do të shqyrtojë raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2025.

Ndërkaq, në orën 13:00, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të shqyrtojë Projektligjin nr. 11/L-003 për energjinë dhe Projektligjin nr. 11/L-004 për energjinë elektrike.

Të gjitha mbledhjet do të mbahen në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme