AMD-ja tashmë ka konfirmuar që Threadripper është ende aktual, edhe pse nuk ka informata për atë se çfarë planesh ka kompania kur bëhet fjalë për platformën desktop nga segmenti ekstrem.
Lisa SU, CEO e kompanisë, gjatë Computexit ka theksuar: “Nëse oferta mainstream lëviz kah segmenti i sipërm, Threadripper do të duhet të lëvizë po ashtu”. Kjo sugjeron që procesorët AMD Threadripper të gjeneratës së ardhshme do të ofrojnë më shumë bërthama dhe threadë se kurrë më parë, përcjell Overclock3D.
Tani raportimi i sajtit WCCFTech pohon që AMD planifikon që të publikojë procesorin 64-bërthamësh Threadripper kah fundi i tremujorit të katërt të këtij viti. Raporti po ashtu pohon që AMD do të ketë edhe diçka të re për të na treguar gjatë panairit CES 2020, i cili mbahet në janar, shkruan KOHA Ditore.
Edhe pse WCCFTech nuk ka informata konkrete nëse Threadripper i gjeneratës së ardhshme do të shfrytëzojë arkitekturën 14nm apo 7nm, pritet të ketë socket X399 dhe 7nm sikurse procesorët Ryzen 3 gen dhe EPYC. E panjohur është nëse platforma X399 do të freskohet për të përkrahur linjën e re të CPU-ve.