Në ditën e Martin Luther Kingut, që kremtohet të hënën e tretë të çdo janari, pretendentët demokratë për zgjedhjet presidenciale vizituan një kishë baptiste në Karolinën e Jugut dhe me krahë të bashkuara marshuan bashkë me dhjetëra mijë njerëz të tjerë.
Përpara marshimit, në kishën e Zionit në qytetin Kolumbia, kandidatët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren shtrënguan duart në shenjë pajtimi pas debatit presidencial mes demokratëve pak ditë më parë, ku zonja Warren refuzoi ta bëjë këtë.
Të dy ata së bashku me rivalen Amy Klobuchar morën pjesë në shërbesën përkujtimore dhe më pas, në marshimin në rrugë drejt rezidencës së guvernatorit, me ta u bashkuan kandidatët Joe Biden, Pete Buttigieg dhe kandidatë të tjerë.
Në debatin e javës së kaluar, Warren dhe Sanders u përplasën rreth disa komenteve të bëra në një bisedë private mes tyre rreth shanseve që zgjedhjet presidenciale të fitohen nga një grua. Senatori Sanders i zgjati dorën rivales së tij por ajo nuk ia shtrëngoi.
Tani, në ditët e fundit para se të hidhen votat e para në garën presidenciale demokrate për zgjedhjet e 2020-s, kandidatët kryesorë të partisë po e ndajnë kohën e tyre midis shteteve të rëndësishme të votimeve paraprake, Karolina e Jugut dhe Ajova, duke marrë pjesë në ceremoni të ndryshme për nder të Martin Luther Kingut.
Marshimi i së hënës mblodhi më shumë kandidatë sesa në dy debatet e fundit. Gjatë marshimit të tyre, në altoparlante buçiste fjalimi historik i Martin Luther Kingut “Unë kam një ëndërr”/VOA.