Analistët: Dialogu ka dështuar, Kosova duhet të jetë palë konstruktive

Prishtinë | 18 Maj 2024 | 08:05 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gazetari dhe njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, ka thënë për Ekonomia Online se ka ardhur koha që Kosova pa rezerva dhe pa komplekse ta thotë qartë se ky dialog ka dështuar. Koci deklaroi se Marrëveshja Franko-Gjermane duhet të zbatohet në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, analisti politik, Shemsi Jashari ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka pak rezultat për mos thënë fare. Ai ka theksuar se secilin raund të dialogut e kemi parë që Kosova është futur në obligime shtesë.

Koci ka theksuar se përmes dialogut Serbia ka ndaluar procesin e njohjeve dhe përfshirjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Mendoj se ka ardhur koha që Kosova pa rezerva, pa komplekse ta thotë qartë se ky dialog ka dështuar. Ky dialog nuk ka qenë i suksesshëm dhe ka qenë në favorin e Serbisë. Për këto 13 vite Serbia ka blerë kohë, përmes dialogut Serbia ka ndal procesin e njohjeve dhe përfshirjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, sepse ka dalur me tezën që nuk keni nevojë të njihini Kosovën sepse ne jemi duke dialoguar. Kjo ka qenë blerje klasike e kohës dhe ka ardhur momenti që Kosova ta thotë pa komplekse pa rezerva që ky dialog ka përfunduar”, ka thënë ai.

Analisti Koci mendon se Marrëveshja franko-gjermane duhet të zbatohet në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë.

“Të dal nga ky dialog të mbaj në nivel të ultë të dialogut teknik, por marrëveshjen Franko-Gjermane ta zbatoj në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtar, përkatësisht ta përjashtojë Serbinë nga ky proces. Kosova ta thotë qartë që dialogu ka dështuar, nuk duam vazhdimin e tij, nuk duam as njohjen de fakto as dejure nga Serbia, duam dialog me bashkësinë ndërkombëtare që ne zbatojmë Asociacioni pa kompetenca ekzekutive, por me kusht që bashkësia ndërkombëtare ta jetësojë njohjen de fakto që është brenda Marrëveshjes dhe që nënkupton përfshirjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare deri në NATO. Asociacion mund të jetësohet dhe të zbatohet nëse shkon paralelisht me anëtarësimin e Kosovës në NATO. Përfshirja në NATO do të ishte garancë e sigurisë për Asociacion, në të kundërtën mendoj se Kosova mund ta pësojë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër analisti politik, Shemsi Jashari ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka pak rezultat për mos me thënë fare. Ai ka theksuar se secilin raund të dialogut e kemi parë që Kosova është futur në obligime shtesë.

“Dialogu Kosovë-Serbi ka pak rezultat për mos thënë fare rezultate. Kosova nuk e ka atë mundësi që të refuzojë dialogun. Duhet patjetër të bëhet pjesë kushdo që është në Qeveri do të duhet të shkojë dhe të dialogojë për temat që tashmë që nga paslufta janë të hapura. E shto këtu edhe insistimin ndërkombëtar, insistime nga SHBA-ja si mike dhe alete e Kosovës dhe faktori nga BE-ja. Kosova është e detyruar të dialogojë se sa mirë e shfrytëzon terrenin e dialogut, deri tash nuk kemi parë rezultate të kënaqshme ose të pranueshme. Secilin raund të dialogut e kemi parë që Kosova është futur në obligime shtesë të cilat po bëhen kushte madje për përparimin e integrimit drejt BE-së”.

“Ajo çka unë mendoj është se, Kosova duhet që të vazhdojë që të jetë palë konstruktive në dialog, duhet ta artikulojë më mirë qëndrimin e vet zyrtar, rreth temave të cilat janë pjesë e dialogut dhe në asnjë formë nuk duhet ta luaj kokëfortin dhe të bëjë të fortin në raport me aleatët, për faktin se Kosova nuk e ka atë mundësi që t’ju vë kushte aleatëve” është shprehur ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme