Mesazhi që do të përcjellë kancelarja gjermane Angela Merkel në takimin bilateral me presidentin e vendit Hashim Thaçi ka të bëjë me marrjen e pëlqimit lidhur me epilogun e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse obligative juridike në mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu kancelarja Merkel do të jap sinjale që Kosova duhet t’i kryej “detyrat e shtëpisë”.
Kështu vlerësuan analistët dhe njohësit e këtyre rrethanave politike në Kosovë lidhur me takimin Thaçi-Merkel që pritet të mbahet sot pasdite.
Politologu Ramush Tahiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se politika e kancelares gjermane Angela Merkel është politikë evropiane e cila ka për qëllim të ju ndihmojë vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i zgjidhur të gjitha problemet e tyre.
“ Angela Merkel më fuqishëm se çdo lider tjetër i shteteve evropiane në takimet bilaterale me presidentin e Serbisë, me presidentin e Shqipërisë dhe me presidentit e Kosovës po jep sinjale pozitive që rruga e këtyre vendeve në integrime evropiane është e sigurt dhe nuk ka alternativ tjetër. Gjithashtu po ju jep kahje që në këtë rast Kosova me presidentin Thaçin t’i kryej detyrat e shtëpisë, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, me zhvillimin demokratik dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, analisti Belul Beqaj, theksoi se takimi Thaçi- Merkel është rrjedhojë edhe e takimit të mëhershëm ndërmjet Merkel – Vuciq, e që ka të bëjë me akordimin e pikëpamjeve rreth marrëveshje s gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë
“Mendoj se ky takim është pasojë e bisedës që e ka pasur kohë më parë kancelarja Merkel me kryetarin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Esenca e bisedës ka të bëjë me akordimin e pikëpamjeve të kompromisit që do të përmbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Beqaj.
Analisti Beqaj tha se mesazhi që do t’ia përcjellë Merkel-Thaçit nga ky takim ka të bëjë me marrjen e pëlqimit të Thaçit me epilogun e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
“Mjerisht,mesazhi që do të përcjell ka të bëjë me marrjen e pëlqimit të Thaçit lidhur me epilogun e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse obligative juridike. Po them mjerisht, ngase ‘teshat do të qepen’ pa i matur Parlamenti i Kosovës i cili në fund ,siç ka qenë praktikë e deritanishme, do të detyrohet të miratoj Marrëveshjen si zgjidhje kompromisi, pa bërë kompromis”, u shpreh ai.
Ai po ashtu tha se faktorët vendimmarrës ndërkombëtarë e kanë e qasjen e gabuar rreth kryenegociatorit, Thaçit.
“Ai e ka pushtetin formal si përfaqësues, por fuqia e tij politike është në rënie rapide njëkohësisht ai kontestohet , gati prej të gjithë spektrit politik. Si pasojë e këtij raporti do të kontestohet çdo lloj kompromisi ku është nënshkrimi i tij edhe për shkak se është i shantazhuar nga Gjykata speciale për krime të luftës. Rrjedhimisht ai që është i stigmatizuar si person i konflikti nuk mund të jetë protagonistë i zgjidhjes së problemit që ka krijuar kohë më parë ,apo jo ?!”, tha ndër të tjera Beqaj.
Ndryshe, sipas një njoftimi nga presidenca, takimi bilateral që do të mbahet sot në Gjermani në mes të Hashim Thaçit dhe kancelares Angela Merkel do të bisedohet për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, për rritjen e shkëmbimit ekonomik dhe bashkëpunimin në fusha të tjera.
“Presidenti Thaçi do të kërkojë mbështetjen e kancelares Merkel për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dinamizmin e perspektivës evropiane, si dhe vazhdimin e mbështetjes në fazën e fundit të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e presidencës.