Analistët politikë për “Modelin e dy Gjermanive”: Mund të vlente vetëm me Shqipërinë

Prishtinë | 19 Nën 2022 | 07:57 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Modeli i dy Gjermanive” dhe propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, janë mundësitë që ky proces të përfundojë një herë e mirë, raporton Ekonomia Online.

Analistët politik kanë mendime të ndryshme sa i përket modelit të dy Gjermanive, të cilët thonë se i njëjti mund të vlente me Shqipërinë e assesi me Serbinë, pasi siç thonë ata tek ky model ka të bëjë dy popullsi të ndryshme.

Analisti politik, Gazmir Raci, e ka kundërshtuar një model të tillë, duke thënë se rasti i Kosovës dhe Serbisë me Gjermaninë, dallon në shumë aspekte.

Sipas tij, i njëjti mund të vlejë me Shqipërinë, nëse ekziston vullneti i të dyja palëve.  

“Modeli i dy Gjermanive është model që mund të aplikohet vetëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e assesi me Serbinë, për faktin e vetëm se tek ky model kemi të bëjmë me një popullsi që është gjermane, ndërsa në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me dy popullsi të ndryshme dhe dy territore të ndryshme, dhe kjo mund të ishte opsion i Kosovës nëse do të bashkohej me Shqipërinë”, u shpreh Raci për EO.

Ndërsa propozimin franko-gjerman, Raci e sheh si të nevojshme për t’u mbyllur përkohësisht çështja e dialogut.

Ai thotë se për pesë vite Kosova mund të jetë edhe pa njohjen nga Serbia, nëse integrohet Kosova në familjen evropiane.

“Nga komuniteti ndërkombëtar po thuhet se në këtë fazë nuk mund të ketë njohje të ndërsjelltë dhe është rekomanduar që të gjendet një zgjidhje për ta kaluar fazën e parë në të cilën jemi dhe për t’i hapur mundësi integrimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor së bashku ndoshta në Bashkimin Evropian, është një opsion i mirë, dhe me aq sa e kam kuptuar nga dokumenti franko-gjerman, pikë e rëndësishme për mua ka të bëjë me respektimin e integritetit territorial të njëra-tjetrës, e kjo i bie njohje de-facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë fazë ne mund të jetojmë edhe pesë vite pa njohjen nga Serbia”, thotë Raci.

Se modeli i dy Gjermanive nuk mund të implementohet në rastin e Kosovës dhe Serbisë, e thotë edhe analisti tjetër, Albinot Maloku. Ai për Ekonomia Online, ka thënë se ky propozim nuk “i bie tamam” Kosovës.

Maloku thotë se me të drejtë i njëjti është kundërshtuar nga qeveritë e kaluara.

“Çështja e modelit të dy Gjermanive si projekt është propozuar goxha moti, pra që  nga 2012 veç flitet. Faktikisht si i tillë me të njëjtin emër siç nuk e ka pasur përkrahjen ky projekt, për faktin që ka dallime të mëdha në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ose raportet siç ka qenë Gjermania në kohën e mëparshme. Në këtë rrafsh, unë konsideroj se Qeveritë e mëparshme por edhe subjektet politike kanë pasur një distancim nga ky lloj modeli e që faktikisht kanë të drejtë, për arsye se nuk i bie tamam në asnjë formë, pra as në përmbajtje e as në formë çështjes së zgjidhjes së raportit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra është refuzuar me të drejtë dhe unë nuk konsideroj se mund t’i bie tamam raportit”, u shpreh Maloku.

Duke folur për propozimin frank-gjerman, Maloku nuk sheh diçka të re aty. Madje, thotë ai se edhe hapja e zyrës ndërlidhëse nuk është e re, pasi Kosova dhe Serbia i kanë të shkëmbyera këto Zyre, raporton EO.

“Thelbi është që kinse të respektohet qëndrimi i palëve, mirëpo të ketë respektim të realiteteve të caktuara, dhe ky është ajo mendësia kur të mendohet tek modeli i dy Gjermanive, pra e pranojnë ekzistencën e tyre, mirëpo nuk është e re çështja e hapjes së zyrës ndërlidhëse për arsye se Kosova dhe Serbia veçse i kanë, mirëpo është e çuditshme që është përmendur në këtë plan. Ky model e ka lënë Kosovën edhe në një fazë të dialogut tjetër, që faktikisht nuk i duhet Kosovës më të ketë dialog pakufi dhe të mos ketë përmbyllje të këtij dialogu me një epilog të caktuar”, u shpreh Maloku.

Të ngjashme