Edhe pse jemi ende larg nga fillimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si parti me origjinë nga Dukagjini, e themeluar në qytetin e Gjakovës, partnerit të saj të deritashëm opozitar NISMA-së i ka marr një pjesë të udhëheqjes së saj në këtë komunë.
Siç bëjnë të ditur drejtues të AAK-së, Argjend Fetahu, Dafina Kazazi, Visar Podrimja, janë vetëm disa nga shumë anëtarë dhe aktivist të vyeshëm dhe me plotë energji që u janë bashkuar AAK-së, të cilët tash e tutje potencialin e tyre dhe gjithë kapacitetin akademik për një Gjakovë më të mirë do ta shkrijnë pikërisht me partinë e AAK-së.
Me këtë rast kryetari i AAK-së në Komunën e Gjakovës, Ardian Gjini, në një konferencë për media ka folur për zhvillimet e fundit në Gjakovë, i cili ka deklaruar se qytetari nuk po e prek qeverisjen lokale, por ata e shohin pushtetin vetëm nëpërmjet taksave komunale.
Gjini tha se raporti i auditimit që ka dalë për vitin 2015 tregon situatën, e cila mbretëron në komunën e Gjakovës.
Argjend Fetahu në emër të sapo të ardhurve në AAK tha se gjendja në Komunën e Gjakovës do të ndryshojë vetëm me ardhjen e Aleancës në pushtet.
“Të bindur që këtë gjendje mund të ndryshojë për të mirë vetëm Aleanca dhe kryetari Gjini, po i bashkohemi sot për të udhëtuar drejt sfidave dhe fitoreve që na presin pas zgjedhjeve të 2017. E zgjodhëm Aleancën për shkak të lidershipit të saj, se sa të vendosim për temat në interes të vendit dhe që e shohim të vetmen forcë politike në Gjakovë, e cila mund të sjell ndryshimin e nevojshme në komunën tonë, pas zgjedhjeve në vitin e ardhshëm”, tha Fetahu.