Dhoma e Rezonancës Magnetike e Klinikës së Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, (QKUK) ka mungesa të ventilimit në kabinetet ku punohet me rreze jonizuese, të shkallëve për dalje emergjente, mirëmbajtjeve të nyjave sanitare, kontrolleve sistematike mjekësore, trajnimet e të punësuarve, ka bërë të ditur raporti inspektues për Mbrojtje dhe Siguri në Punë të ShSKUK-së.
“Mund të theksojmë se kjo hapësirë është e ngarkuar shumë me pacientë dhe përcjellës, hapësira lëvizëse është joadekuate. Në hapësirat ku gjenden aparaturat e gjenerueseve të rrezatimit nuk duhet të lejohet qasje e lirë për përcjellës të pacientëve”, thuhet në këtë raport.
Gjetjet e raportit tregojnë se mungojnë edhe syze mbrojtëse për personelin mjekësor, si dhe jelekë të plumbuar për pacientët.
Ndërsa, në asnjë nga këto dhoma të Radiologjisë, për stafin mjekësor nuk kryhen kontrolle mjekësore për çka punëdhënësi, në këtë rast QKUK-ja, është e obliguar ta dërgojë për kontrolle së paku një herë në vit, shkruan sot Koha Ditore.
Në kabinetin e rëntgeneve, inspektimi ka gjetur se ventilimi nuk funksionon fare, nuk ka dorëza mbrojtëse dhe as syze qelqi. Po ashtu, mungojnë qaforet e plumbuara dhe përparëse për organet gjenitale e plumbuar.
Ndërsa, gjendje edhe më e rënduar është në Klinikën Infektive, ku konstatohet se pajisja është e teknologjisë së vjetër dhe “mund të shkaktojë rrezik”.