Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Gani Shabani, duke e konfirmuar kështu aktakuzën ndaj tyre.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar kryetarja e trupit gjykues për këtë rast, Shadije Gërguri.
Edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, në prill të këtij viti, për herë të dytë kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Gani Shabani.
Gjykatësja e këtij rasti, Shadije Gërguri, kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve, avokatëve Adem Vokshi dhe Nikë Shala.
Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, të cilët nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti.
Në shqyrtimin fillestar të 26 shkurtit, po ashtu ishte bërë e ditur nga gjykatësja Gërguri, që të akuzuarit Agani dhe Shabani tash e tutje do të vazhdojnë të gjykohen veçmas nga të akuzuarit tjerë, të cilët do të gjykohen në dy procedura të tjera.
Gjykata Themelore në Prishtinë, aktakuzën kundër ish-ministrit Agani dhe të akuzuarve të tjerë në rastin “Stenta” e kishte konfirmuar edhe në korrik të vitit të kaluar, mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rivendosje.
Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.
Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.
Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.
Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.