Apeli shqyrton ankesën e ish-kryeinspektorit të MPMS-së, i dënuar me burgim

Prishtinë | 02 Nën 2017 | 16:07 | Nga

Gjykata e Apelit, të enjten, ka shqyrtuar rastin e ish-kryeinspektorit të Agjencisë Ekzekutive të Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Gashi, i cili në prill të këtij viti ishte dënuar me 1 vit burgim efektiv.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhej se Gashi, me rastin e marrjes së vendimit për zbutjen e konsiderueshëm të dënimit për kompaninë NTP “Bujari”, nga 22.500 euro në 4000 euro, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Gashi, këto veprime i kishte kryer në kohën sa ka qenë ushtrues detyre i kryeinspektorit të Agjencisë Ekzekutive të Inspektoratit në MPMS.

Përveç tij, të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe tre të pandehur tjetër, Agim Millaku, Murat Vokshi e Jovica Filipovic, por për ta prokurorja Merrushe Llugiqi, kishte hequr dorë nga ndjekja penale në fjalën përfundimtare. Sipas saj, në veprimet e tyre nuk janë manifestuar elementet e veprës penale.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë kishte ushtruar avokati i Gashit, Nikë Shala për shkak të siç thotë, shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, shkeljeve të ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe për vendimin mbi dënimin.

Avokati Shala, në ankesën e tij, i kishte propozuar Apelit që ta lirojë Gashin në mungesë të fakteve apo çështjen ta kthej në rigjykim dhe rivendosje.

Ndërkaq, në seancën e së enjtes, Shala tha se si është e mundur që të bashkakuzuarit të mos dënohen për një vendim që e kanë marrë të gjithë së bashku, kurse i mbrojturi i tij të dënohet.

“Çdo vendim është marrë përmes komisionit, por nuk pasur kurrfarë përfitimi material dhe asnjeri prej tyre nuk ka kryer veprën penale që janë akuzuar”, tha Shala.

Sipas tij, ky është i fundit që e ka nënshkruar atë vendim, pas Millakut, Vokshit dhe Filipoviqit, edhe pse i mbrojturi i tij ka qenë kryeinspektor.

“Nuk ka asnjë provë, as përgjime, as ekspertizë që dëshmon që ky e ka kryer këtë vepër penale”, shtoi Shala.

Ndërkaq, Prokuroria e Apelit, përmes parashtresës së ushtruar drejtuar kësaj gjykate, kishte kërkuar që ankesën e mbrojtjes së Gashit ta refuzojë si të pabazuar dhe ta vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë.

Kryetari i Kolegjit të Apelit, Driton Muharremi njoftoi se vendimi do të merret brena afatit ligjor.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pretendonte se Skender Gashi, Agim Millaku, Murat Vokshi dhe Jovica Filipoviq gjatë shkurtit të vitit 2009, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Në aktin akuzues thuhej se këtë e kanë bërë me qëllim të përfitimit për NTP “Bujari” – njësi punuese në “AS-Petrol”, me seli në Ferizaj.

Sipas prokurorisë, Skender Gashi, duke vendosur në procedurën e shkallës së dytë, sipas ankesës së kësaj kompanie, kishte aprovuar ankesën e Avni Salihut, pronar i kompanisë, duke nënshkruar vendimin mbi shqiptimin e masës ndëshkimore. I njëjti e kishte ndryshuar vendimin e shkallës së dytë, ashtu që dënimin me gjobë prej 22.500 euro, e ka zbritur në shumë prej 4,000 euro.

Prokuroria supozonte se këtë gjë e ka bërë me arsyetimin se pronari i kësaj kompanie dhe viktima kanë lidhje farefisnore, si dhe shuma e kësaj gjobe në shkallë të parë do të rezultonte në mbylljen e biznesit të pronarit të kompanisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme