Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e digjitalizimit të administratës publike.
Marrëveshja krijon bazën për ndërlidhjen e sistemeve elektronike të APK-së dhe ATK-së, duke mundësuar shkëmbimin elektronik të të dhënave në mënyrë të sigurt, të kontrolluar dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ky bashkëpunim synon të mbështesë ushtrimin më efikas të kompetencave ligjore të të dy institucioneve, përmes lehtësimit të procedurave administrative dhe hetimore.
Në kuadër të marrëveshjes, ATK do t’i mundësojë APK-së qasje në të dhënat përkatëse nga sistemet e saj elektronike për nevojat e procedurave administrative që zhvillon Agjencia, ndërsa APK do t’i mundësojë ATK-së qasje në të dhënat nga sistemi elektronik i deklarimit të pasurisë, në funksion të ushtrimit të kompetencave të saj ligjore.
Mënyra e shkëmbimit të të dhënave dhe aspektet teknike do të rregullohen përmes Procedurës Standarde të Operimit (PSO), e cila garanton standarde të qarta për autorizimin, sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave.
Me këtë rast, Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj, theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe transformimi digjital janë elemente thelbësore për rritjen e efektivitetit të institucioneve publike.
“Institucionet janë më efikase kur bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë të dhënat në mënyrë të sigurt. Kjo marrëveshje nuk është vetëm një zgjidhje teknike, ajo përfaqëson një mënyrë të re të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, të mbështetur në besim, transparencë dhe efikasitet. Përmes ndërlidhjes së sistemeve tona, ne jo vetëm që përshpejtojmë proceset e verifikimit, por edhe forcojmë kapacitetin e institucioneve për të mbrojtur interesin publik dhe për të ndërtuar një administratë publike më moderne, më të përgjegjshme dhe më të besueshme”.
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni, e vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe modernizimit të proceseve, duke theksuar se shkëmbimi elektronik i të dhënave do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit institucional dhe në realizimin më efektiv të kompetencave ligjore të të dy institucioneve.
Ky bashkëpunim pritet të shërbejë edhe si model për zgjerimin e bashkëpunimit me institucione të tjera relevante, përfshirë Njësinë e Inteligjencës Financiare dhe autoritete të tjera kompetente, me synimin e krijimit të mekanizmave të koordinimit ndërinstitucional për trajtimin më efikas të rasteve komplekse të verifikimit të pasurisë, hetimeve administrative dhe çështjeve të tjera që kërkojnë bashkërendim institucional.

