Kompania Pokemon ka paralajmëruar një aplikacion të ri të quajtur Pokemon Sleep në një konferencë shtypi në Tokyo.
Lojën do mund ta instaloni në pajisjet tuaja mobile në vitin 2020. Edhe pse nuk ka më shumë detaje, ajo do të jetë në dispozicion për Android dhe iOS.
Loja e re ka për qëllim që ta shndërrojë gjumin në argëtim, dhe atë në një mënyrë që do të regjistrojë se kur lojtarët shkojnë në shtrat, kur zgjohen dhe në ç’kohë të ditës flenë, shkruan BBC.
“Lojtarët do ta shijojnë një gjumë të mirë së bashku me Pokemonin, ndërsa zgjimi për ta do të jetë një kënaqësi e vërtetë. Nëse të dhënat për gjumin e përdoruesit transferohen në telefon, diçka argëtuese do ta presë atë kur të zgjohet,” tha presidenti i kompanisë Pokemon Tsunekazu Ishihara, shkruan KOHA Ditore.
Rikujtojmë, deri më tani Pokemonët ishin në dispozicion vetëm për pajisjet Nintendo, por kalimi në telefona të mençur i është shpaguar kompanisë shumë herë. Loja Pokemon Go edhe sot fiton para të mëdha, ndërsa siç njoftohet Nintendo do të fillojë ta shesë edhe versionin e ri të pajisjes Pokemon go plus+. Gjatë ditës do të mund ta përdorni për Pokemon Go, ndërsa para gjumit ta vendosni pranë vetes në jastëk ashtu që pajisja ta monitorojë gjumin tuaj dhe të dërgojë informacione në telefonin tuaj të mençur nëpërmjet Bluetoothit.