Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, pas përmbylljes së procesit të votimit në Kosovë, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe ka bërë thirrje për korrektësi gjatë numërimit të votave.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët që, sipas tij, sot kanë dalë për të shprehur me votë vullnetin e tyre demokratik.
“Tash, kur ky proces është përmbyllur në të gjithë Kosovën, u bëj thirrje të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesëve të jenë korrekt në numërim, të kujdesen që demokracia që populli e ka vendosur në kuti të votimit të jetë ajo e vërteta dhe të mos përsëriten gabimet e së kaluarës”, ka shkruar Gjini.
Ai ka theksuar se respektimi i vullnetit qytetar është thelbësor për demokracinë, duke shtuar se vetëm përmes një procesi të drejtë mund të ruhet besimi në rezultat.
“Vetëm duke punuar drejtë, kujdesemi bashkë që vullneti i sovranit të respektohet”, ka përfunduar kandidati për kryeministër nga Aleanca.