Dënim më të ashpër se sa i kishte shqiptuar gjykata e shkallës së parë, ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut, po kërkon Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Një gjë të tillë, PSRK po e kërkon edhe për të akuzuarit Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, Lushtaku akuzohet për veprën penale “arratisja e personit të privuar nga lira”, kurse, Blakaj, Ahmeti dhe Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.
Po ashtu, në ankesën që ka ushtruar në Gjykatën e Apelit, prokuroria ka kërkuar që të shpallen fajtor dhe të dënohen edhe të akuzuarit tjerë në këtë rast, që ishin liruar nga shkalla e parë, Mërgim Lushtaku, Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj.
Në anën tjetër, mbrojtja e Lushtakut ka kërkuar nga Apeli që të ndryshoj aktgjykimin e Themelores dhe të njëjtin ta lirojë nga akuza ose të paktën t’i zbutet dënimi. Po ashtu, edhe tre të dënuarit tjerë në këtë rast, po kërkojnë nga Apeli që të anulojë aktgjykimin e Themelores dhe lëndën ta kthej në rigjykim apo që ndaj tyre të merr aktgjykim lirues.
Këto ankesa, si dhe përgjigjet në ankesën e prokurorisë u shqyrtuan të premten nga kolegji i Departamentit Special në Gjykatën e Apelit, në përbërje nga gjyqtarët, Vaton Durguti, Kreshnik Radoniqi dhe Burim Ademi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, me 14 prill 2020, e kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.
Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera, që kishin ndodhur me 21 gusht 2015 dhe tjetra me 22 shtator 2015, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përveç Lushtakut, me nga 1,000 euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.
Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj ishin liruar nga akuza.
E pakënaqur me këtë aktgjykim të Themelores, PSRK ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Sipas kësaj ankese, që u raportua në pika të shkurta nga gjyqtari Radoniqi, aktgjykimi i shkallës së parë është atakuar për sa i përket vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe lidhur me lartësinë e dënimit.
Sipas prokurorisë, shkalla e parë nuk kishte vlerësuar siç duhet rrethanat rënduese në këtë rast, ndërsa me provat e administruara, sipas prokurorisë, është vërtetuar se edhe të akuzuarit që ishin liruar nga akuzat janë fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohen.
Duke u bazuar në këto rrethana, PSRK i ka propozuar Apelit që të ndryshoj aktgjykimin në pjesën liruese të tij dhe të akuzuarit t’i shpall fajtor e t’i dënojë sipas ligjit, kurse, për pjesën dënuese të aktgjykimit të Themelores, PSRK ka propozuar që të shqiptohen dënime më të ashpra.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Lushtakut, avokati Artan Qerkini tha se aktgjykimi i shkallës së parë është mbështetur në vetëm një provë dhe atë, dëshminë e dëshmitarit Matia Ratikonen. Sipas ankesës së Qerkinit, aktgjykimi nuk mund të bazohet vetëm në një provë.
Për më tepër, avokati Qerkini tha se dëshmitari në fjalë nuk është dëgjuar në gjykim, çka i ka pamundësuar mbrojtjes që t’i parashtroj pyetje. Gjithashtu, avokati tha se aktgjykimi është bazuar edhe në disa prova tjera të papranueshme, duke shtuar se i mbrojturi i tij, Sami Lushtaku, asnjëherë nuk kishte lëshuar perimetrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Vet i akuzuari Lushtaku tha se e mbështet fjalën e avokatit dhe se nuk ka çka të shtojë diçka tjetër.
Lirimin e tij nga akuzat e ka kërkuar nga Apeli edhe Gëzim Ahmeti. Sipas ankesës së mbrojtësit të tij, avokatit Asdren Hoxha, aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban as minimumin e arsyetimit të nevojshëm.
Sipas ankesës, Ahmeti nuk e kishte ndihmuar Lushtakun të arratiset, përkundrazi, posa e kishte kuptuar një gjë të tillë, i kishte njoftuar mbikëqyrësit e tij.
Me pretendime të ngjashme, se nuk e kishte ndihmuar Lushtakun të arratiset, edhe i akuzuari Xhevdet Zena, ka kërkuar nga Apeli që ta lirojë nga akuzat.
Siç tha Zena, trupi gjykues në shkallë të parë ka marr për bazë vetëm një raport të një polici të Eulexit por nuk kishte për bazë edhe raportet e Policisë së Kosovës, duke shtuar se në krejt raportin e Eulexit thuhet vetëm se “supozohet” dhe asgjë tjetër.
Edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, i cili ishte shpallur fajtor nga shkalla e parë, Ylber Blakaj, ka kërkuar nga Apeli që ta liroj nga akuzat. Sipas ankesës së mbrojtësit të tij, avokatit, Ragip Zeneli, nuk ka asnjë provë që dëshmon se Blakaj ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
“Ky aktgjykim e ka arsyetimin shume të mangët. Fillon duke thënë se këta tre kanë vepruar sipas një plani të tyre por nuk jepet asnjë arsyetim cili ka qene ai plan, çfarë plani ka qene ai, kush ka qenë iniciator, kush ka qenë zbatuesi i tij etj”, tha avokati Zeneli në fjalën e tij.
Ndërsa, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, Blakaj tha se nuk e kupton se si ka mundur që të shpallet fajtor edhe Sami Lushtaku për arratisje edhe tre gardianët për lirim të kundërligjshëm të tij.
“Tash unë nuk po e di a u arratis apo është liru”, tha Blakaj.
Ndërsa të akuzuarit tjerë që ishin liruar nga shkalla e parë, Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Argjend Behramaj dhe Agim Ukaj kërkuan nga Apeli që të refuzon ankesën e PSRK-së dhe të vërteton aktgjykimin e Themelores.
Kurse, në seancë nuk prezantuan të akuzuarit tjerë që po ashtu ishin liruar nga akuzat, Mërgim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Ismajl Dibrani dhe Nexhip Shatri.
Lidhur me ankesat është deklaruar edhe Prokuroria e Apelit, e cila gjykatës së shkallës së dytë i ka propozuar që të aprovon ankesën e PSRK kurse t’i refuzon ankesat e të akuzuarve.
Në këtë rast i akuzuari kishte qenë edhe Sami Gjoka, por ndaj tij ishte refuzuar akuza dhe ishte pushuar procedura penale për shkak të vdekjes së tij.
Në këtë rast përveç arratisjes, në pjesën tjetër të aktakuzës që nuk ka të bëjë me arratisje, por me veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale”, “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”, po akuzohen Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.
Për këtë pjesë të aktakuzës, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti në seancën 20 shkurtit kishin veçuar procedurën.
Ndryshe, për këtë rast, bashkëshortja e Lushtakut, Mirvete Hasani Lushtaku, më 4 dhjetor 2019, është dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi që ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë, pas së cilës edhe ishte veçuar procedura ndaj saj.
Por, ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarës është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 3500 euro, të cilën nëse nuk e paguan, dënimi do t’i shndërrohet me burg.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.
Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.
Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.
Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.
Sipas aktakuzës, Lushtaku me 21 gusht 2015, qëllimisht kishte qëndruar i pashoqëruar nga stafi korrektues dhe pa u miratuar nga ndonjë urdhër gjykate, jashtë hapësirave të Qendrës së Paraburgimit të Dubravës, dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij, ndërsa nga i njëjti institucion sipas aktakuzës ishte arratisur edhe me 22 shator 2015.
Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.
Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.
Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.
Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.
Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.
Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.
Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. Sipas aktakuzës, tre të akuzuarit duke vepruar në bashkëkryerje kishin keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare dhe autorizimin në ruajtjen e Lushtakut, derisa ai kishte qenë jashtë Qendrës së Paraburgimit të Dubravës me 21 gusht dhe 22 shtator 2015.