Prokuroria e Posaçme kundër krimit dhe Korrupsionit (SPAK) arreston ish- drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 punonjës të tjerë të televizionit për korrupsion në tendera. Bëhet fjalë për tenderin e blerjeve të pajisjeve të kanalit RTSH Agro me vlerë limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh). Së bashku me Gëllçin në pranga kanë rënë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Ervin Muraj, Alban Malaveci dhe Julian Tapia.
Këshilli i ri Drejtues i Radio Televizionit Publik Shqiptar liroi në maj të këtij viti nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi, pasi i mabroi mandati i qëndrimit në detyrë. Këshilli Drejtuesi i RTSH votoi me 8 vota pro shkarkimit të Thoma Gëllçit, dhe miratoi që drejtimi t’i kalojë zv.drejtorit Martin Leka.
Thoma Gëllçi ka studiuar për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, në periudhën 1980-1984.
Nga viti 1985 deri më 1992, ai punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën Zëri i Popullit, organ zyrtar i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe pas vitit 1991, i Partisë Socialiste.
Në periudhën 1992-1996, ai shërbeu si kryeredaktori i gazetës Zëri i Popullit, gjatë kohës kur Partia Socialiste ishte në opozitë.
Gëllçi shërbeu si zëdhënës i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar me Kryeministër Bashkim Fino gjatë periudhës mars-qershor 1997.
Me ardhjen në pushtet të socialistëve, ai shërbeu si zëdhënës dhe drejtues i zyrës së informacionit të kryeministrave socialistë: i Kryeministrit Fatos Nano më 1997-1998, i Kryeministrit Meta më 1999-2002 dhe sërish i Kryeministrit Nano më 2002 deri më 2005.