Arrestohet në Jarinjë një 42-vjeçar nga Serbia, sulmoi dhe gjakosi policin kosovar

Prishtinë | 07 Pri 2023 | 22:21 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas nga Serbia, sot pasdite në pikën kufitare në Jarinjë, pasi ai ka sulmuar dhe gjakosur një polic të Kosovës.

Sipas njoftimit të PK-së, në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinje, sot më 07.04.2023, rreth orës 16:30, në hyrje për në Republikën e Kosovës, ka ardhur një shtetas i Serbisë, i cili nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm për të hyrë në Republikën e Kosovës.

Pas refuzimit për hyrjes në vendin tonë, i dyshuari N.T., (viti i lindjes 1981, shtetas serb i Serbisë) ka filluar të fyejë zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar.

Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruajë atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policorë, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Polici i lënduar është dërguar për tretman mjekësor.

Për rastin është njoftuar prokurori, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “sulm ndaj personit zyrtar” dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.

Të ngjashme