Dyshja Çeku-Bouchkov në lojë virtuoze për harmoni perfekte

Prishtinë | 29 Maj 2018 | 09:39 | Nga

Kur energjia pozitive gërshetohet me virtuozitetin dhe ndjeshmërinë, rezultati nuk ka se si të mos jetë pozitiv.

Sidomos kur në skenë bëhen bashkë dy muzikantë siç janë kitaristi i njohur kosovar Petrit Çeku dhe violinisti i njohur belg, Marc Bouchkov, shkruan sot “Koha Ditore”. E ndanë skenën në Prishtinë. Hapën edicionin e 17-të të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica”.

Në një program me vepra të kompozitorëve të ndryshëm që kërkojnë lojën me virtuozitet, ndjenjë e pasion, shpalosën artistllëk të plotë. Mbrëmjen e nisën me “Cantabile”, nga Niccolò Paganini, e cila përshkruhet si shembull perfekt i veprës së ndarë në tri pjesë.

Në këtë udhëtim melodik, dyshja virtuoze shëtitën publikun që mbushi përplot sallën e Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Numri i madh i të pranishmëve, një pjesë e të cilëve u detyruan të uleshin në tokë e të tjerë të qëndrojnë në këmbë, e bëri hapësirën të duket edhe më intime. Kjo shkonte mjaft mirë me reflektorët e kuq që ishin vendosur në skenë, duke sjellë edhe më energji në skenë. Ani pse nxehtësia në këtë hapësirë bëhej e padurueshme, ishin tingujt e sjellë me emocion ata që i dhanë kuptim mbrëmjes.

Me këtë mbrëmje muzikore me shumë emocion nisi mbarë edicioni i 17-të i festivalit ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica”, i cili do të zgjasë deri më datën 2 qershor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme