Llapit i shtohet edhe një doktor shkence

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 22:34 | Nga Ekonomia Online

Llapit tani e tutje i është shtuar edhe një doktor shkence. Bëhet fjalë për Ruzhdi Kiçmarin i cili jeton dhe vepron në Gjermani.

Kiçmari mbrojti doktoratën javën e kaluar në Universitetin e Erfurtit në Gjermani me temë: “Biografitë dygjuhësore. Një analizë empirike e kosovarëve shqiptarë në Gjermani“ dhe ka arritur titullin më të lartë shkencor në filologji.

Kiçmari i cili veprimtarinë e tij politike e nisi qysh në vitet e 80-ta, u detyrua të largohet nga Kosova për shkak të përndjekjes politike nga ana e sistemit serbo-sllav.

Ai në moshën rinore qe dënuar me 6 muaj burg me grupin e të burgosurve politik në periudhën 10/1988 deri me 4/1989, pasi që kishte marr pjesë në organizimin e demonstratave kundër represionit serb në Kosovë.

Ruzhdi Kiçmari u lind më 27.06.71 në fshatin Lladofc të Podujevës. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Podujevë. Pas tri vitesh studimi të letërsisë dhe gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës vazhdoi studimet në Gjermani, ku edhe magjistroi në gjermanistikë, shkencën e komunikimit dhe të politikës. Pas një përvoje prej 11 vitesh si mësimdhënës në arsimin e lartë të shkollave dhe instituteve të ndryshme në Gjermani, tani drejton degën e gjuhëve të huaja dhe kurset e integrimit për të huaj në një shkollë popullore në Gjermani.

Ai ka mbrojtur me sukses temën e doktoraturës në Universitetin e Erfurtit më 03.06.2019

Ruzhdi Kiçmari është i martuar me Fatmiren dhe ka dy fëmijë, Pleuratin dhe Plarentin.

Të ngjashme