MKRS-ja subvencionon aktivitetet e pavarura me rreth 900 mijë euro

Prishtinë | 25 Pri 2017 | 15:56 | Nga

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bazë të thirrjes publike për projektet kulturore-artistike 2017, ka ndarë subvencionet e sivjetshme në fushën e kulturës, dhe për këtë fazë institucionet e kulturës dhe skena e pavarur kulturore do të ndihmohen me rreth 900 mijë euro.

Projektet e përkrahura në fusha të ndryshme kulturore e artistike janë në funksion të promovimit dhe të njohjes së kulturës së Kosovës, nëpërmjet aktivitete të ndryshme, si: festivaleve, panaireve, ekspozitave dhe manifestimeve të ndryshme me karakter individual, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Subvencionimi për projekte kulturore-artistike është bërë në bazë të Rregullores nr. 09/2015 “Për Subvencionim në Fushën e Kulturës, Trashëgimisë Kulturore, Rinisë dhe Sportit” dhe të vlerësimeve profesionale të komisioneve të sivjetshme, të cilat kanë vepruar mbi bazë të mundësive buxhetore.

MKRS-ja po punon maksimalisht në konsolidimin dhe forcimin e mëtejmë të institucioneve të kulturës, si dhe në mbështetjen e skenës së pavarur kulturore, nëpërmjet përkrahjes dhe krijimit të lehtësirave tjera, me legjislacion bashkëkohor dhe nisma konkrete.

MKRS-ja vlerëson se kjo mbështetje krijon mundësi për zhvillimin dhe pasurimin e jetës kulturore në vend me aktivitete të ndryshme.

Po ashtu, kjo përkrahje është inkurajim për krijuesit dhe promovuesit e kulturës që me vlerat e tyre të pasurojnë jetën kulturore të Kosovës dhe njohjen e saj në arenën ndërkombëtare.

 

Të ngjashme