Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, po refuzon të dorëzohet në ëndrrën e klubit për ta arritur kualifikimin në Evropë deri kur të jetë edhe matematikisht e pamundur për ta të radhiten në top shtatëshe të Premierligës.
Arsenali ka shfaqur shkëndija të formës që Arteta po e kërkon nga skuadra e tij, mirëpo gabimet nëpër ndeshje dhe pikët e humbura kanë bërë që Topçinjtë të mbesin prapa në garën për dalje në Evropë këtë sezon, transmeton Gazeta Express.
Disfata në derbin kundër rivalit Tottenhamit në ndeshjen e fundit të Premierligës bëri që Arsenali të bjerë në pozitën e nëntë në tabelë, por Arteta s’është dorëzuar në ëndrrën për kualifikim në garat evropiane.
“Unë do të vazhdoj përpara dhe do të vazhdoj të tentoj t’i bindë lojtarët të mos dorëzohen dhe të luftojmë sa kemi ende pak shpresë, deri kur të jetë matematikisht e pamundur. Në këtë pozitë jemi tani”, ka thënë Arteta.
Arsenali është vetëm katër pikë larg Sheffield Unitedit, që radhitet në pozitën e shtatë, ndërsa deri në fund të sezonit kanë mbetur vetëm edhe tri xhiro për t’u zhvilluar.