Artistët afganë falënderojnë Shqipërinë për mikpritjen me anë të muralit në Tiranë

Prishtinë | 17 Dhj 2021 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

“Faleminderit Shqipëri, nuk do të harrojmë!” – Kështu është shkruar në një mur në qendër të kryeqytetit, shoqëruar me murale të pikturuara nga artistë afganë, të cilët me anë të këtij gjesti kanë shprehur mirënjohjen për mikpritjen e që u ka bërë Shqipëria pas ardhjes në pushtet të talebanëve në Afganistan.

Murali është pikturuar në murin e pallatit të projektuar nga Maks Velo, ku ndodhet edhe shtëpia-muze e Kadaresë, në qendër të Tiranës. Në muret e kësaj ndërtese ka edhe piktura të tjera murale.

Murali pranë sheshit Skënderbej paraqet një burrë afgan i cili po punon, ndërsa karroca e tij e punës mban hartën Shqipërisë, të përbërë nga shumë seksione, si simbol multietnik.

Artistët janë pjesëtarë të ‘Artlords’, një organizatë afgane me aktivistë e artistë vullnetarë, të cilët përmes pikturave murale përcjellin mesazhe shprese dhe paqeje.

“Kjo është një nga mënyrat me të cilat ne duam të ngremë zërin për afganët që janë marrë peng në shtëpitë e tyre në Afganistan” tha Omaid Sharifi, bashkëthemelues i Artlords.

Shumica e veprave të këtij grupi në Afganistan u shkatërruan nga talebanët, sipas Sharifit.

“Gjashtëdhjetë e dy anëtarë të Artlords janë ende në Afganistan, të gatshëm për ta lënë vendin në çdo moment”, tha ai.

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e vizituan muralin të enjten dhe morën një penel për të ndihmuar.

Shqipëria ka strehuar deri më tani rreth 2,400 afganë që lanë shtëpitë e tyre pas ardhjes në pushtet të talebanëve. Rreth 150 prej afganëve të ardhur në Shqipëri, janë larguar për në shtete të tjera./Euronews.al/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme