As Apeli i Speciales s’i beson Policisë së Kosovës, refuzon kërkesën e Veselit për mbrojtje në liri

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

As Dhomat e Apelit të Speciales nuk i kanë besuar garancës së Policisë së Kosovës për mbrojtjen në liri të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Kësisoj, Apeli i Speciales ka nxjerrë vendim me anë të së cilit ka refuzuar ankesën e mbrojtjes në lidhje me refuzimin e lirimit nga paraburgimi.

Vendimi në fjalë është marrë pavarësisht garancës së Policisë së Kosovës më 27 tetor të vitit të kaluar për mbrojtjen në liri të Veselit.

Në këtë datë, Policia e Kosovës me urdhër të gjyqtarit paraprak kishte dërguar në Speciale garancë të detajuar në lidhje me kapacitetet e saja operacionale për të mbikëqyrur kushtet e mbrojtjes në liri.

Pavarësisht kësaj, më 23 dhjetor gjyqtari paraprak kishte nxjerrë vendim në vijë me qëndrimin e Prokurorisë duke refuzuar lirimin e Veselit dhe duke injoruar garancën e Policisë.

Njëjtë ka vepruar edhe Apeli i Speciales, ku mbrojtja e Veselit kishte dërguar ankesë në lidhje me vendimin e gjyqtarit paraprak, shkruan lajmi.net.

Ankesa, siç thuhet në vendim është refuzuar në tërësi.

Njëjtë si ndaj Veselit, Apeli ka marrë vendim edhe për Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, teksa ende nuk ka vendim për ish-presidentin Thaçi.

Të ngjashme