Asamblistët e Prishtinës të larguar nga VV-ja formojnë grup të ri

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 17:57 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asamblisti në komunën e Prishtinës, Nol Nushi, në një prononcim për Ekonomia Online tha se gjatë ditës së djeshme një grup prej 9 asamblistësh ka dërguar kërkesën për krijimin e një grupi të pavarur, duke u larguar kështu nga Grupi i Asamblistëve të Vetëvendosjes.

“Pas zhvillimeve të fundit dhe tashmë të gjithëdishme për lëvizjen Vetëvendosje, 9 nga asamblistët nga 17 që ka fitu Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, dje kemi dorëzuar kërkesën për krijimin e grupit të ri të quajtur ‘Grupi i Asamblistëve të Pavarur’ dhe tashmë do të funksionojmë  si të tillë të shkëputur nga grupi i Asamblistëve të Vetëvendosje, ndërsa një asambliste është dalë nga grupi i Vetëvendosjes, nuk është as në grupin tonë dhe do të veprojë si e pavarur. Pra, aktualisht ne kemi 9 antarë, ata kanë 7”, tha ai.

Ndërkaq si shefe e Grupit të Asamblistëve të Pavarur është zgjedhur Vala Peshku, raporton Ekonomia Online.

“Me konsensus të brendshëm të këtyre 9 antarëve kemi vendosur që në këtë periudhë grupin tonë ta udhëheqë formalisht Vala Peshku, një nga asamblistët me të votuar në listë dhe sot e pamë që po e kryente këtë detyrë”, tha ai.

Sa i përket ndarjes së ulëseve në Kuvend Komunal ai tha se me siguri që mbledhjen e ardhshme do të kenë ulëse të ndara nga asamblistët e Vetëvendosjes.

“Kjo është çështje teknike dhe procedurale e procedurave të Kuvendit Komunal dhe zyrës së Kuvendit. As kështu si jemi nuk është ndonjë problem i madh por besoj që radhitemi në bazë të përkatësisë grupore, cilit grup i takojmë edhe ashtu do të rradhitemi. Besoj që në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit do të ulemi ashtu siç vendos zyra e Kuvendit Komunal”, tha ai.

Ndërkaq ai tha se do të jenë kritikues edhe ndaj punës së kryetarit të komunës.

“Natyrisht asambleja këtë punë e ka, t’i qëndroj përballë propozimeve të kryetarit, jo secila gjë që vjen në Kuvend vjen nga dora e Shpendit në këtë rast, ka këtu drejtorë të ndryshëm që kanë aftësi të ndryshme dhe plane të ndryshme, pra nuk do të shkojë çdo gjë blanko dhe të votohet sepse nuk jemi makinë votimi”, tha tutje Nushi.

“Megjithatë na kanë votuar qytetarët për të qendruar përballë propozimeve qe jemi votu edhe nëse propozimet janë në dakordancë me ato që i kemi thënë gjatë fushatës dhe nëse propozimet janë të mangëta ne mund t’i përmirësojmë, ne do ta bëjmë sigurisht”, theksoi ai.

Kështu, në Grupin e Pavarur të asamblistëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të cilët kanë dalë nga ai i LVV-së janë: Adrian Berisha, Bashkim Beha, Drilon Pireva, Genc Sherifi, Mimoza Sylejmani, Nol Nushi, Qëndrim Sahiti, Vala Peshku dhe Visare Gorani.

Këta tani e tutje janë vetë-emërtuar si, Grupi i Pavarur i asamblistëve në KK të Prishtinës.

Ndërsa, në GP të LVV-së janë: Mirsad Vitija, Qëndrim Sahiti, Eman Rrahmani, Vjosa Hamiti, Milot Podvorica, Egzon Azemi, Besnik Mujeci, Leonora Shabani, kurse asamblistja, Valbora Petrovci ka dalë si e pavarur, duke mos u pozicionuar me asnjërin nga grupet, që u krijuan sot pas ndarjes nga grupi i përbashkët i deritashëm i LVV-së.

Të ngjashme