Punimet në rrugën që lidh Kaçanikun me Kërbliqin dhe Vitinë po hyjnë në fazën përfundimtare, duke sjellë lehtësim për banorët dhe mundësi të reja për zhvillimin e zonës.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar nga afër punimet në këtë projekt, i cili është investim i ministrisë në vlerë prej mbi 2 milionë euro, gjatësi rreth 11 kilometra dhe gjerësi 5 metra.
Punimet kanë avancuar ndjeshëm, ndërsa aktualisht po vazhdon asfaltimi i gjysmës së mbetur të rrugës, duke e sjell projektin shumë pranë përfundimit të plotë.
Përveç përmirësimit të lidhjes dhe qarkullimit për banorët e zonës, kjo rrugë krijon mundësi të reja për zhvillimin e turizmit malor dhe bizneseve lokale, duke lehtësuar qasjen drejt bukurive natyrore të Kërbliqit, përfshirë edhe dy ujëvarat e fshatit.
Qeveria “Kurti” vazhdon investimet në zonat malore, me qëllim lidhjen më të mirë të vendbanimeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik e turistik.