Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës nuk merr parasysh vlerësimet dhe kritikat e organizatave joqeveritare të cilave nuk iu dihet financimi dhe kanë hulumtime të cekëta.
Kështu u tha në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi nga anëtarët e AShAK-ut.
Ky takim i AShAK-ut me komisionin parlamentar për Arsim e Shkencë ka ardhur pas kritikave nga disa organizata joqeveritare lidhur me punën e kësaj akademie dhe cilësinë e Fjalorit Enciklopedik të botuar javë më parë, raporton Ekonomia Online.
Myzafere Limani, sekretare shkencore e Akademisë, tha se menjëherë pas publikimit të hulumtimit të organizatave joqeveritare janë munduar të kuptojnë se kush qëndron pas tyre.
“Kush qëndron mbas atyre dy organizatave joqeveritare. Hulumtimi i tyre është tejet i cekët dhe financimi i tyre i paqartë. Akademia e ka për detyrë që t’i marrë parasysh vlerësimet nga akademisë simotra të gjitha”.
“Akademia e Kosovës i kushton rëndësi publikimeve në gjuhën e huaj, posaçërisht në veprat që e pasqyrojnë Kosovën. Akademia është duke punuar në këtë drejtim”.
“Plagjiatura është një prej çështjeve që është ngritë në atë raport. Akademia i merr shumë seriozisht që i vijnë nga institucionet e nivelit të njëjtë. Ne nuk kemi pasë asnjë vërejtje për individë për këtë çështje. Në momentin që do të ketë diçka institucionale Akademia i ka mekanizmat e veta e do të shqyrtohen”.
Ndërsa Arsim Bajrami nga kjo Akademi u përgjigj në pyetjen e kryetarit të komisionit lidhur me ndikimin politik.
Ai tha se çështja e politizimit është e rregulluar me ligj.
Sipas tij, Akademia mund të japë përgjigje vetëm në rast të ndonjë kërkese institucionale lidhur me çështjet politike në vend ashtu siç e kanë bërë edhe kur është hartuar Kushtetuta e 2 Korrikut.
“Akademia nuk mund të interferojë në çështjet që diskutohen në interferenca politike. Jemi të gatshëm në çdo kërkesë që Kuvendi, Qeveria, Presidenca ka kërkesë ne t’i japim përgjigje. Çështja e politizimit është me ligj e rregulluar. Më shumë se gjysma e anëtarëve nuk janë në asnjë parti politike. Nuk ka pasë asnjë ndikim. Kjo nuk qëndron. Ne kemi vendosë pengesa. Asnjë ministër, kryetar i komunave nuk mund të ketë pozita udhëheqëse në Akademi. Pajtohem me mungesën e projekteve në gjuhën angleze. Ne do të punojmë shumë që ne të fillojmë të konsumojmë fonde evropiane që të hyjmë në projekte konkrete”.
Bajrami ftoi anëtarët e Komisionit Parlamentar për një vizitë në Akademinë e Shkencave në mënyrë që, siç tha ai, të njoftohen nga afër me punën që e bën kjo akademi.
Kurse Lindita Pula, sekretare në AShAK njoftoi lidhur me punën e akademisë në aspektin administrativ. Ajo tha se puna e akademisë është transparente.
Ajo ka bërë të ditur se nga 1 milionë e 600 mija euro, 25 mijë janë përdorur për shpenzime kapitale.
“Akademia financohet nga buxheti i Kosovës, zbaton të gjitha vendimet e qeverisë dhe respektojmë të gjitha afatet ligjore që kërkohen zbatojmë rekomandimet e Zyrës së Auditorit edhe pse nuk kemi rekomandime serioze. E gjithë puna e akademisë është transparente”.
” Nga 1 milionë e 600 mijë euro buxheti i Akademisë, 324 mijë mallra dhe shërbime pjesa tjetër është paga dhe mëditje, 25 mijë kemi pas shpenzime kapitale”.
Anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë,Teknologji, Rini, Sport e Inovacion shprehën interesimin lidhur me projektet e Akademisë, aktivitetet si dhe me akuzat për plagjiaturë nga anëtarët e Akademisë.
Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit Parlamentar kishte një varg pyetje për anëtarët e AShAK-ut.
“Sa i kushton rëndësi Akademia botimit të publikimeve të veta në gjuhë të huaj? Mbi 50 për qind e publikimeve janë ribotime, sa është e saktë kjo informatë? Revistën e vetme që Akademia e ka nxjerrë në gjuhën angleze nuk botohet që nga viti 1990, pse nuk botohet kjo revistë? Sa për qind e buxhetit të Akademisë shpenzohet në projektet e Akademisë? A ka ndikim politika në punën e Akademisë,dhe sa është ai ndikim? A keni trajtuar këto raste dhe nëse i keni trajtuar cili është përfundimi i Akademisë?”
Driton Çaushi shprehi shqetësimin lidhur me konkurset.
“Nga 22 anëtarë të Akademisë vetëm 3 nga ta kanë publikime në revistat. Problematike që është për mua është në aktivitetin me akademitë tjera. Me sa kemi ndonjë informacion nuk ka ndonjë projekt serioz hulumtues që është duke vazhduar mes institucionit tuaj dhe të tjerave. Kam njohuri për konkursin e fundit për anëtarët e rinj të Akademisë e di që ka kandidatë që kanë kandiduar aty në dhjetëra publikime dhe janë pranuar të tjerët që as afërsisht nuk kanë”.