Asociacioni – dardhë me bisht, cila është forca e Albin Kurtit për ta anuluar

Prishtinë | 30 Jan 2023 | 17:09 | Nga Liri Loshi

Asociacioni pa kompetenca ekzekutive duket si një “dardhë” me bisht, nën të cilin fshehen pikërisht kompetencat ekzekutive! Shumë militantë dhe votues të Vetëvendosjes mendojnë se Albin Kurti e ka një forcë magjike për ta bërë të pamundur themelimin e këtij Asociacioni!

Por, Marrëveshja për Asociacionin është obligim ndërkombëtar i Republikës së Kosovës, të cilin ajo e ka marrë mbi vete kur e ka nënshkruar dhe sidomos kur e ka ratifikuar atë në Kuvend.

A e ka Albin Kurti atë forcë që militantët mendojnë?! Mbase edhe e ka! Por, forca reale e një politikani nuk është vetëm mendja e tij. Forcë reale janë instrumentet legjitime që ai posedon.

Dhe, Albin Kurti posedon me një instrument që s’e ka pasur askush deri më sot. Ky instrument është numri i madh i deputetëve në Kuvend. Albin Kurti pra, ka mundur ta shfrytëzojë këtë mjet, këtë shumicë, natyrisht në bashkëpunim me grupet tjera politike për ta provuar anulimin e ratifikimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Në vend se kjo të bëhej, ka vazhduar retorika sterile politike, e cila ka tejsenzibilizuar opinionin e brendshëm, por nuk ka prodhuar asnjë moment faktik për ta ndryshuar gjendjen.

Dhe, kur ti nuk i shfrytëzon mjetet tua, të tjerët gjejnë hapësirë jo vetem për të vepruar, por edhe për të të anashkaluar fare!

Si do të veprojë Albin Kurti? Këtë përgjigje unë nuk e kam, por mbase ai dhe militantët e tij e kanë.

Sidoqoftë, ai na e dërgoi një porosi të gjithëve në një nga paraqitjet e tij publike. Ai tha: “Të gjithë ata që flasin në dobi të Asociacionit në këto momente, e ndihmojnë Serbinë.” Madje tha “për besë”!

Këtë e thonë edhe militantët e VV-së: “Lereni Albin Kurtin se ai është më i mençuri dhe ai e di më së miri se si ia bën kësaj pune!”

Dhe, jo vetëm këta. Janë disa ”super-patriotë” të tjerë që kanë filluar t’i bëjnë me shënjë “tradhëtarët” e kombit, apo të paktën ta identitikojnë veten si supër-patriotë me involvimin e tyre në këtë temë të nxehtë. Por, a është vetëm punë patriotizmi kjo çështje?! Unë mendoj se jo, por nëse patriotët mendojnë se është dhe e marrin çështjen mbi vete, atëherë t’ua lëmë ekskluzivitetin atyre!

Kështu ndodh kur njerëzit në vend të kalit me huje i mëshojnë samarit e qerrrja në baltë se në baltë!

Të ngjashme