Skënder Hyseni do ta drejtojë një delegacion të Kosovës për takim me autoritetet e Serbisë të hënën në Bruksel, pa marrë bekimin nga të gjithë anëtarët e koalicionit qeverisës. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është kundër këtij takimi.
Time Kadrijaj, deputete e AAK-së dhe kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, ka konfirmuar dallimet që vazhdojnë të jenë të ndezura mes partnerëve të koalicionit, sa u takon aspekteve që lidhen me dialogun, shkruan KOHA.
“Aleanca e ka dhënë qëndrimin e vet prej kohësh dhe mbetet në atë qëndrim. Ne e kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë kalimin në dialog teknik”, ka thënë Kadrijaj. “Me Serbinë duhet të zhvillohet dialog vetëm për njohje reciproke”.
Hyseni është koordinator shtetëror për negociatat dhe deri tash ka zhvilluar disa takime në Bruksel, gjatë së cilave janë diskutuar tema që nuk i përkasin karakterit politik.
Për takimin e radhës ishte paralajmëruar që në tavolinë të vihej çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mekanizëm për të cilin është shprehur droja se mund ta defunksionalizojë shtetin nga brenda. AAK-ja dhe subjektet opozitare kanë kundërshtuar zëshëm që të bisedohet në këtë temë.
E, një ditë më parë, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se të hënën do të zhvillohet takimi mes shefave të ekipeve negociatore të këtyre dy vendeve dhe ka treguar se temë e diskutimit do të jenë pretendimet financiare dhe ato pronësore.
“Tema e Asociacionit nuk do të jetë në agjendë pasi njëra palë nuk është e gatshme për të diskutuar”, ka shkruar ai në Twitter. “Mirëpo kjo gjë duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, siç është arritur pajtueshmëri gjatë takimit të liderëve”.
Të premten kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Hyseni, ka pritur në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it, bashkë me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, me të cilët ka biseduar rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në vend dhe për dialogun.