Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog në një videkonferencë me media që është realizuar gjatë ditës në të cilën pjesëmarrëse ishte edhe Gazeta Express i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me aktualitetet politike në Kosovë.
Ambasadori Szunyog në pyetjen e Gazetës Express lidhur me atë se a duhet të përfundojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke tha se mes dy shteteve duhet të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme.
“Dialogu i cili është duke u ndërmjetësuar nga BE’ja duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme që do të trajtojë të gjitha çështjet e pazgjidhura”, tha ai.
Shefi i BE’së në Kosovë ka thënë se zbatimi marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe duhet të jetë në pajtueshmëri të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Është e rëndësishme që marrëveshjet e arritura të implementohen, Asociacioni është një marrëveshje që Kosova ka nënshkruar më 2013 e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Është në dorën e palës kosovare që të propozojë se si të zbatohet kjo marrëveshje, pjesë e kësaj marrëveshje është edhe roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të jetë në pajtim të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, ka thënë Szunyog.