Assange i sëmurë, nuk shfaqet në videolidhjen e seancës gjyqësore për ekstradim

Prishtinë | 30 Maj 2019 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Themeluesi i “WikiLeaks”, Julian Assange, është tepër i sëmurë që të shfaqet në një videolidhje nga burgu britanik për seancën e dëgjimit rreth kërkesës për ekstradim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë të enjten avokati i tij.

Washingtoni ka kërkuar ekstradimin e Assanges, i cili u arrestua muajin e shkuar pas bastisjes së policisë britanike në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”. Assange përballet me gjithsej 18 pika të aktakuzës amerikane, të cilat parashikojnë burgim disadekadësh, në rast se shpallet fajtor.

“Ç’është e vërteta, gjendja e tij është larg nga të qenit e mirë”, ka thënë avokati i tij, Gareth Peirce. Këtë gjë e konfirmoi edhe gjykatësja, Emma Arbuthnot, duke thënë: “Ai njëmend nuk është shumë mirë”.

Udhëheqës të uebfaqes “WikiLeaks” kanë shprehur shqetësim lidhur me shëndetin e Assange dhe kanë thënë se ai tanimë është zhvendosur në repartin shëndetësor të burgut britanik Belmardh. Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar në burg dhe ka humbur shumë peshë trupore, ka bërë të ditur “WikiLeaks”.

Kësisoj, seanca e ardhshme e dëgjimit është caktuar për 12 qershor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme