Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton gjithë qytetarë së kanë mbetur edhe pak ditë deri në përmbylljen e afatit të aplikimit për rimbursim nga kuponët fiskalë.
Aplikimi për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskal për TM4/2017, ka filluar nga data 1 janar 2018 dhe vazhdon deri më 31 janar 2018.
Deri më sot numri i qytetarëve të cilët kanë aplikuar është 39 746. Krahasuar me periudhën e kaluar ky është numër më i madh.
ATK shpjegon se aplikimi bëhet duke plotësuar aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i Kuponëve Fiskalë. Aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës www.atk-ks.org në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskal. Aplikimi bëhet vetëm një herë për të njëjtën periudhë duke u bazuar në Numrin Personal të aplikuesit.
Fituesit potencial do të rimbursohen me 10 për qind të vlerës së deklaruar, por jo më shumë se 100 €.
Numri minimal i kuponëve fiskalë të dorëzuar duhet të jetë 60 kuponë, me shumën minimale 250 €.