Departamenti i Lojërave të Fatit mbrëmë ka ndërmarrë një aksion në komunën e Graçanicës – konkretisht në fshatin Gushtericë e ulët, në bazë të informacioneve të pranuara paraprakisht se në këtë vend dyshohet se organizoheshin lojëra të fatit pa licencë, si dhe aktivitete tjera të ndaluara me ligj.
Si rezultat i këtij aksioni, i cili është kryer në asistim të Policisë së Kosovës-Njësiti Kundër Krimit dhe Korrupsionit, është gjetur se në këtë vend është zhvilluar veprimtaria e kazinosë, me ç ‘rast është konfiskuar tavolina e pokerit, çipat (kartat) e dy valixheve, si dhe është ndëshkuar personi përgjegjës i lokalit me 30, 000 euro për ushtrim të veprimtarisë së kazinosë pa licencë të ATK-së.
Po ashtu, gjatë aksionit në fjalë është gjetur se në të njëjtin lokal është ushtruar veprimtaria e bastoreve, ku inspektoret tanë kanë gjetur si dëshmi billdenat dhe tiketat e shtypura. Edhe për këtë pjesë ATK ka lëshuar gjobë në vlerë 2000 euro, ka konfiskuar pajisjet e gjetura, si dhe ka mbyllur lokalin. Totali i gjobave të shqiptuara gjatë këtij aksioni kap vlerën e 32.000 euro.
Ndaj personave përgjegjës do të ndiqet edhe procedure penale, konform legjislacionit në fuqi.
“Divizioni i Lojërave të Fatit, do të vazhdojë me aksione të tilla në çdo kohë, bazuar në autorizimet që i jep Ligji Nr.04/L-080, për Lojërat e Fatit. Gjithashtu, i bëjmë thirrje qytetarëve që të raportojnë në ATK, rastet për të cilat dyshohen se ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit jashtë ligjshme”, thuhet në komunikatë.