Tanimë ka përfunduar i gjithë procesi i faljes së borxheve publike të qytetarëve nga Administrata Tatimore e Kosovës. Nga raporti përfundimtar del se kanë përfituar shumë qytetarë nga falja, si dhe vetë institucioni ka inkasuar mbi 20 milionë euro.
Nga kjo procedurë kanë funksionuar dy periudha. Ajo prej 31 dhjetorit e vitit 2008, ku qytetarët kanë përfituar me falje duke i përfshirë ndëshkimet, interesin dhe gjobat.
Ndërsa, kategoria tjetër ka qenë ajo e viteve 2009-2014, ku ka qenë kusht që të paguhet baza e tatimit.
Në një prononcim për ‘Indeksonline’, zëdhënsja e ATK-së, Valentina Bytyqi ka treguar të dhënat përfundimtare se sa qytetarë kanë përfituar me falje, sa janë arkëtuar si dhe shifrën e inkasimit nga falja e borxheve publike.
“Vetëm në vitin 2017 nga Ligji për faljen e borxheve kanë përfituar 3,785 tatimpagues, ndërsa janë arkëtuar 5.2 milionë euro dhe janë falur 34.6 milion euro”, është shprehur ajo.
Më tej, ajo thotë se qytetarët që u janë falë borxhet janë mbi 200 milionë euro. Ndërsa ATK ka inkasuar nga ky ligj mbi 20 milionë euro.
“Sa i përket viteve 2015 dhe 2016, janë falur 216 milionë euro borxhe,dhe janë inkasuar 24.2 milion euro”, ka thënë ajo.
Ndryshe, kujtojmë se Administrata Tatimore ka konsideruar se edhe për institucionet edhe për qytetarët si dhe tatimpaguesit ka qenë një periudhë e mjaftueshme që të përfitojnë nga ky ligj.
Po ashtu ATK më herët ka treguar se të gjithë ata që kanë pasur vështirësi për ti kryer pagesat e menjëhershme të borxheve, kanë mundur të bëjnë marrëveshje me këtë institucion, ku individët do të mund të realizonin pagesën për një periudhë 3 vjeçare.