Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rritur të hyrat nga tatimet në për 47 milionë euro në vitin 2019, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencë për medie tha se të hyrat në vitin e kaluar kanë qenë 504.5 milionë euro, krahasuar me 456.7 milionë euro sa kanë qenë në vitin 2018.
Rritje ka shënuar edhe vlera e kontributeve pensionale, ku nga 163 milionë euro sa ka qenë në vitin 2018, ka arritur në 188 milionë në vitin 2019.
“Vitin 2019 kemi arritur ta inkasojmë 504 milionë euro të hyra, 47 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Luftimi i informalitetit vazhdon të jetë sfidë për ATK. Inkasimi i borxheve për vitin 2019 është 108.1 milionë euro ndërsa në vitin e kaluar ishte 33.4 milionë euro. Ndër aktivitetet tjera të ATK janë edhe konfiskimet, ku janë ndërmarrë 579 raste të konfiskimeve, ku nga këto konfiskime janë mbledhur mbi 1 milionë euro më shumë se vitin e kaluar”.
“Një ndër sektorët e rëndësishëm si tatimpagues është edhe sektori i Ndërtimtarisë, ku gjatë vitit 2018 tatimpagues aktiv të këtij sektori kanë qenë më shumë se 6 mijë biznese. Ndërkaq plani për përmirësimin e përmbushjes në sektorin e ndërtimtarisë është, luftimi i invazionit fiskal në këtë sektor, identifikimi i bizneseve ndërtimore që nuk përmbushin obligimet tatimore dhe kontroll i përgjithshëm në këtë sektor”.
Murtezaj ka thënë se viti 2019 për ATK ka qenë më shumë sfida, por edhe me arritje të mëdha.
“Ne si institucion kemi filluar me reforma për të ofruar më shumë shërbime për tatimpaguesit. Me theks të veçantë për borxhet e papaguara për bizneset. Një tjetër ka qenë shërbimet më të mira dhe lehtësira për bizneset. ATK-ja gjatë vitit ka zhvilluar një numër të madh të aktiviteteve që është e pamundur të tregohen të gjitha”, ka thënë Murtezaj, raporton EO.
Në kuadër të borxhlinjve më të mëdhenj ndaj shtetit është edhe Telekomi i Kosovës, për këtë drejtori i ATK tha se Telekomi është duke zbatuar marrëveshjen e arritur me ATK pas mbylljes së llogarive bankare për shlyerjen e borxheve.
“Në vitin që lamë pas janë ndërmarr 176 aktivitete për shmangie tatimore, 37 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore, ndërsa 5.3 milionë euro është vlera e shmangies tatimore. Plani afatmesëm i reformës 2019-2021 është luftimi i evazionit fiskal në sektorin e ndërtimtarisë, identifikimi i bizneseve ndërtimore që nuk përmbushin obligimet tatimore dhe kontrolli i përgjithshëm në sektorin e ndërtimtarisë”.
Murtezaj ka thënë se ATK gjatë vitit 2019 ka aprovuar 626 kërkesa të bizneseve për lirim nga TVSH, ndërkaq për shkak të mospërmbushjes së kërkesave ka refuzuar 32 kërkesa.
“ATK për 20 vite ka arritur ti inkasojë 504 milionë euro, ku inkasimi në vitin 2000 ka qenë vetëm 5 milionë euro”, ka thënë ai, raporton EO.
Impelemitimi i planit strategjik, realizimi i planit vjetor të punës, vazhdimi i implementimit të planit afatmesëm të reformave 2019-2021, janë disa nga objektivat e ATK për vitin 2020.
Ndërkaq zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, ka thënë se falë punës së ATK-së ka arritur të ulet borxhi publik. Gashi ka thënë se nuk do të ketë më ligj për faljen e borxheve.
“Kërkesa prej Ministrisë së Financave ka qenë që ATK të zvogëlojë stokun e borxhit dhe ka arritur ATK-ja ta tejkalojë atë kërkesë tonën. Ne kemi kërkuar që mbledhja e borxheve të jetë 27 milionë dhe këta kanë mbledhë mbi 33 milionë euro borxhe të vjetra, që do të thotë se kemi filluar t’i parëzojmë bizneset në treg se dikush paguaj e dikush jo dhe pritja e tatimpaguesve që do të ndodh mbi ligjin për faljen e borxheve, duhet ta harrojnë. Ligj për faljen e borxheve nuk do të ketë më e sidomos jo faljes së TVSH-së”, ka thënë ai.